Reagimi i Guardiolas pas raportimeve se ka arritur marrëveshje me Juventusin

Futboll 22 Maj 2019 10:18

Vetëm disa ditë pasi e kompletoi tripletën historike me Man Cityn, Pep Guardiola është raportuar se do të largohet nga klubi i Premierligës.

Sipas raportimeve të martën mbrëma, bosi i Cityt ka arritur marrëveshje me Juventusin për ta pasuar Massimiliano Allegrin, përcjell Insporti

Largimi i Allegrit nga ‘Zonja e Vjetër’ u konfirmua javën e kaluar, pasi e udhëhoqi Juventusin drejt titullit të tetë me radhë në Serie A.

Sipas gazetarit italian të Radio Sportiva, Federecio Gennarelli, biankonerët tashmë kanë arritur marrëveshje me trajnerin spanjoll.

Në rrjetet sociale, Gennarelli pohoi se Guardiola ka arritur marrëveshje 4-vjeçare pas takimit që pati me drejtorin sportiv të Juventusit në Milan.

Drejtori sportiv, Fabio Paratici është parë jashtë hotelit ku Guardiola momentalisht po qëndron për një event bamirësie, derisa SportItalia po ashtu raportoi se dyshja kishte patur një diskutim privat.

Spekulimet se Guardiola do të kalonte te Juventusi kishin filluar të përhapen në mars të këtij viti, por 48-vjeçari menjëherë i kishte hedhur poshtë këto zëra.


Guardiola e fitoi titullin e dytë rresht me Cityn

“Njëri shkruan diçka në Twitter dhe më pas çdokush e poston në faqet e tyre – Pepi po shkon në Juventus”, kishte thënë Guardiola pas raportimeve të para.

“Nuk e kuptoj pse kur e raportojnë, nuk tentojnë të thërrasin klubin, apo mua, apo agjentin, ose Juventusin”, kishte thënë ai.

“Kam dy vite më shumë [në kontratë] dhe nuk do të lëvizi. Është e pamundur, vetëm nëse më shkarkojnë. Nëse Man City më dëshiron, do të qëndroj për dy vite tjera dhe shpresoj edhe për një tjetër. Nuk do të shkoj në Juventus gjatë dy sezoneve të ardhshme”, kishte deklaruar Guardiola.

Mbetet të shihet nëse spanjolli do t’a mbajë fjalën e tij, apo do të kompletojë një kalim te ‘Zonja e Vjetër’. /Insporti.com/