Reagimi i Zidane për shkarkimin e mundshëm në rast të humbjes nga Barcelona

Futboll 24 Tetor 2020 10:19

Reali i Madridit po kalon një moment mjaft të vështirë, pas i ka pësuar dy humbje radhazi në stadiumin “Alfredo Di Stefano”, ndaj Cadiz në kampionat dhe ndaj Shakhtar Donetsk në Ligën e Kampionëve.

“Los Blancos’ do të rikthehen nesër në fushë për të luajtur “El Classicon” përballë Barcelonës në stadiumin “Camp Nou”, ndërsa trajneri Zinedine Zidane doli sot në konferencën e zakonshme ku foli për momentin që po kalon skuadra dhe shprehu besimin në triumf ndaj katalanëve.

El Classico pa tifozë – E dimë që kur të shkojmë në “Camp Nou” do të gjejmë një stadium bosh, por të luash atje është gjithmonë e veçantë. Është shumë e rëndësishme që të nisim mirë ndeshjen.

Ndeshjet ndaj Cadiz dhe Shakhtar – I kemi rishikuar të dy këto takime dhe kemi vënë re që kemi pasur qasje të gabuar. Nuk e kemi nisur mirë ndeshjen dhe në fund kemi humbur, por kam kuptuar që kemi vështirësi të përballemi me skuadrat e pjesës së poshtme të tabelës. Megjithatë e rëndësishme është të përqendrohemi te loja jonë dhe të jemi të përgatitur për të bërë gjithçka mirë në 90 minuta.

Ndeshja me Barcelonën në moment të vështirë – Jo, është në momentin më të mirë, pasi mund të përmbysim situatën me një fitore dhe kjo të na shërbejë për një rrugëtim të gjatë drejt suksesit.

Autokritika – unë kam qenë gjithmonë kritik ndaj vetes, por e dimë të gjithë se gjërat mund t’i ndryshojmë vetëm së bashku. Pas një humbjeje, shumica e kritikave janë për mua dhe kjo është normale. Unë nuk jetoj me të kaluarën, pasi e di mirë se gjëja më e rëndësishme është ndeshja e radhës dhe ne na pret një goxha sfidë.

A është kjo skuadër konkurruese – Në futbollin e sotëm nuk ka ndeshje të thjeshta dhe ndodh që gjërat nuk shkojnë ashtu siç i ke planifikuar. Reali gjithmonë ka pasur ulje-ngritje, por ka ditur të tregojë veten atëherë kur duhet dhe nesër kemi një mundësi të mirë për të treguar fytyrën tonë.

Mbështetja e presidentit – Kam vërejtur mbështetjen e të gjithëve. Lojtarët më kanë bërë të fitoj shumë gjëra, unë do të jem gjithmonë, deri në vdekje me lojtarët e mi sepse ata luajnë, ata luftojnë, ata vrapojnë… Unë vë re mbështetjen e të gjithëve dhe e di që kur gjërat përkeqësohen, duhet të dalë në pah karakteri, për të kthyer gjërat në rrugën e duhur.

E ardhmja në rrezik – Ato që thuhen unë nuk mund t’i mohoj, pasi edhe sezonin e kaluar ka qenë e njëjta situatë në fazën e parë. Unë bëj punën time si trajner dhe pjesën tjetër e lë ta gjykojë koha.

-->