Reagon Alan Shearer, pas kritikës lidhur me deklaratën e tij për Aguero-n

Futboll 20 Shkurt 2018 11:19

Legjenda e Newcastle United, Alan Shearer, i cili momentalisht është në rolin e ekspertit të futbollit në BBC Sport, ishte kritikuar nga një tifoz lidhur me deklaratën e tij pas ndeshjes së Kupës FA në mes Manchester City dhe Wigan Athletic, ku ish-sulmuesi anglez në një mënyrë e kishte arsyetuar veprimin e Sergio Aguero-s.

Pas ndeshjes e cila përfundoi me humbjen e City-t nga Wigan, me ç’rast ekipi i Pep Guariola-s u largua nga gara e mëtutjeshme e FA Cup, kishte ndodhur një përleshje gjithandej në fushë dhe jashtë saj, në mes lojtarëve e tifozëve të ndryshëm, e madje edhe në tunel duke u larguar nga stadiumi, dy trajnerët Guardiola dhe Paul Cook u përfshinë në një përballje.

Momenti ndër më të diskutuarit pas ndeshjes, ishte pasi kamerat televizive kishin kapur sulmuesin e City-t, Sergio Aguero, teksa e grushtonte një tifoz të Wigan Athletic.
Ky gjest zgjoi debat të madh, përderisa Alan Shearer i cili ishte në rolin e ekspertit të futbollit në studiot e televizionit BBC Sport, disi e kishte arsyetuar gjestin e Aguero-s, duke thënë se nuk mund ta gjykojmë negativisht veprimin e sulmuesit argjentinas, pasi ka mundur të ndodh që tifozi i cili u grushtua nga ai, e ka fyer Aguero-n. Madje kishte raportime se, Aguero ishte pështyrë nga ky tifoz dhe kjo zgjoi atë reagim të tij.

Megjithatë deklarata e Shearer zgjoi pakënaqësi, sidomos tek tifozët e Wigan Athletic, e njëri madje edhe i kishte shkruar në twitter legjendës së Newcastle, duke i thënë se pa marrë parasysh i ka thënë apo jo, ose çfarë i ka thënë ai Aguero-s, sulmi i argjentinasit nuk justifikohet me asgjë.

Alan Shearer iu kishte kundërpërgjigjur menjëherë tifozit/shikuesit në fjalë, në rrjetin e tij social në twitter, duke i thënë:  “Nuk mund ta dish se çfarë i është thënë atij apo çfarë veprimi ka pasur kundrejt tij. Ndoshta ishte duke e mbrojtur veten? Derisa nuk i kuptojmë të gjitha detajet, nuk e pash të arsyeshme që ishte vendi të paragjykoja Sergio Aguero-n. Ajo çfarë unë e di me shumë siguri, është se tifozët në asnjë mënyrë nuk duhet të futen në fushë”, përfundoi përgjigja e Shearer për tifozin dhe shikuesin.

Përndryshe Asociacioni i Futbollit anglez, pritet se do të nis një hetim për rastin në fjalë, ku do të hetohen incidentet e ndryshme që ndodhën pas ndeshjes dhe në ditët në vijim do të kuptohet pastaj, a do të ketë masa disiplinore që do të duhet të ndërmerren.

Po ashtu thuhet se, Manchester City në ditët në vijim do të bisedojë me drejtuesit e Wigan Athletic, duke kërkuar arsyetim pse u lejua futja e tifozëve në fushë pas ndeshjes, që e rrezikuan sigurinë e lojtarëve dhe përkrahësve të “Citizens”. /Insporti.com

-->