Reagon FSHF-ja për emërimin e Arenës Kombëtare: S’ka asgjë zyrtare

Kombëtarja 09 Nëntor 2019 13:43

“Air Albania Stadium” pritet të jetë emri i ri i “Arenës Kombëtare”, impianti më i ri sportiv në vend. Kompania ajrore e fluturimeve thuhet se e ka blerë të drejtën e emrit që ishte nxjerrë në shitje nga Federata Shqiptare e Futbollit që prej muajit shtator.

Megjithatë për këtë lajm të publikuar nga Procesi Sportiv, ka reaguar FSHF-ja që përmes zëdhënësit për shtyp, Andi Verçani tregon se s’ka asgjë zyrtare.

“Përshëndetje të gjithëve. Në lidhje me emrin e stadiumit që po më shkruani të gjithë individualisht, nuk ka asgjë zyrtare nga FSHF. Në momentin që do të kemi një njoftim zyrtar, sigurisht që do të njoftoheni për çdo detaj përpara ndeshjes me Francën”, shkruan në reagimin e tij zyrtari i FSHF-së.

Procesi Sportiv raportoi se gjithçka mes kompanisë Air Albania dhe shoqërisë aksionere “Qëndra Kuqezi ” do të firmoset ditën e hënë për t’i dhënë ehe udhë zyrtare këtij bashkëpunimi. Një emër komercial për një stadium ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe ka qenë shpesh herë edhe temë debati dhe diskutimi, megjithatë kjo është një nga mënyrat më të mira të administrimit të impianteve të tilla sportive të cilat kanë një kosto të lartë mirëmbajtjeje vjetore.

Ndërkohë që në mbarë botën praktika të tilla ku kompani të mëdha sponsorizojnë dhe vendosin emrat e tyre në emra klubesh apo impiantesh futbolli, janë të shumtë. Vetëm një ditë më parë kompania e studimit dhe këshillimit të bizneseve për të maksimalizuar të ardhurat Duff&Phelps, ka analizuar tregun e emrave komercial që mbajnë impiate të ndryshme sportive në Europës.

Sipas këtij studimi në Bundesligë 80% e stadiumeve kanë emra komercialë, ndërsa në Premier League janë 30% e impianteve me emra të tille, 10% në Serie A dhe Ligue 1 dhe 5% në La Ligan e Spanjës. Në Bundesligë, 28% e akordeve për emrat e stadiumit janë me kompani financiare, 17% me kompanitë e automobilizmit, 5% me kompanitë e energjisë dhe 33% me kompani të tjera.