Reagon Moto GP, mësohet pse nuk u zhvillua gara e Silverstone ditën e hënë

Moto GP 28 Gusht 2018 20:37

Anullimi i garës së Çmimit të Madh të Britanisë së Madhe në Moto GP për shkak të shiut të rrëmbyeshëm që ra në pistën e Silverstone përgjatë gjithë ditës së diel dhe kaosit që u krijua atë ditë, me shtyrje të një pas njëshme të orarit të fillimit të garave, ka vënë në qendër të kritikave drejtuesit e Dorna (Shoqata e Motoçiklizmit).

Por ai që ka justifikuar gjithçka ka ndodhur dhe mbi të gjitha përse nuk u zhvillua gara një ditë me vonesë, të hënën, ka qenë presidenti i Moto GP, Carmelo Ezpeleta.

Në një prononcim për mediat, ai tha se u mendua për të mirën e pilotëve.

Gara nuk u shty për ditën e hënë, më 27 gusht, pasi ajo ditë ishte një ditë festive në Angli. Ndaj dhe nuk kishte asnjë shans që gara të zhvillohej të nesërmen. Ne edhe mund të kishim nisur garën dhe për një moment menduam që ta zhvillonim atë në shi, por në fund u vendos që të mos garohej. Unë e respektoj vendimin e skuadrave dhe të pilotëve. Preferoj më mirë të anulloj një garë se sa të shoh një pilot që aksidentohet për shkak të kushteve atmosferike. E vetmja mënyrë ishte që gara të zhvillohej në orën 9 të mëngjesit, por nuk kishim kohë t’ua komunikonim këtë gjë skuadrave”, tha Ezpeleta.

-->