Reagon presidenti i Atleticos pasi Barça gjobitet vetëm 300 euro për transferimin e Griezmannit

Futboll 27 Shtator 2019 15:03

Presidenti i Atletico Madridit, Enrique Cerezo, kishte mbetur pothuajse pa fjalë kur po tentonte ta përshkruante gjobën prej vetëm 300 eurove që Federata e Futbollit e Spanjës ia dha Barcelonës për transferimin e Antoine Griezmannit.

Më 1 korrik, klauzola e shkëputjes së kontratës të Antoine Griezmannit me Atletico Madridin ra nga 200 në 120 milionë euro dhe rrjedhimisht Barcelona e pagoi këtë shumë për ta blerë francezin, gjë të cilën klubi madrilen e kundërshtoi, transmeton Gazeta Express.

Atletico Madridi pretendon se Barcelona i kishte nisur bisedimet me futbollistin francez në një kohë kur klauzola për shkëputjen e kontratës së tij ishte 200 milionë euro e jo 120 milionë dhe thotë se tani katalonasit ia kanë borxh edhe 80 milionë euro të tjera për transferimin e Griezmannit.

Për shkak të kësaj marrëveshje, Atletico e paditi Barcelonën në Federatën e Futbollit të Spanjës duke pretenduar se katalonasit e kishin kontaktuar francezin kur ai kishte ende kontratë me madrilenët, që është kundër rregullave të FIFA-s për transferime.

Megjithatë, kur e kishin bërë këtë ankesë, madrilenët kishin besuar se klubi katalonas do të gjobitet më shumë sesa 300 euro për shkeljen e neneve 88 dhe 126 të Kodit Disiplinor të Federatës së Futbollit të Spanjës.

“Unë e pashë që ata e kanë dënuar Barcelonën me 300 euro. Nuk është shumë normale”, tha Cerezo në një intervistë të dhënë për Radio Marca sot.

“Rregullat thonë se duhet të jetë kështu”.