Reagon prokuroria – ndeshja po dyshohet për kurdisje

Futboll 27 Shkurt 2019 21:35

Ndeshja e Ligës së parë e zhvilluar ndërmjet KF Trepça dhe KF Fushë Kosova është duke hetuar nga prokuroria.

Insporti ka raportuar rreth dyshimeve të një kurdisje rezultati të kësaj ndeshje, e cila është zhvilluar të hënën (25 shkurt). Ndeshja përfundoi në të mirë të skuadrës vendase me rezultat 2:1.

Kjo ndeshje ishte në buletinin e bastores më të madhe në botë “bet365.com” dhe ishin vendosur kuota të mëdha për të dalë nga 2-shi në 1-sh.

Insporti ka kontaktuar me prokurorin Besim Kelmendi, i cili ka konfirmuar se ndeshja është duke u trajtuar nga Policia, e cila do t’i verifikojë informatat dhe në rast të verifikimit, atëherë rasti do të kalojë në prokurori.

“Lënda është përcjell në Polici, e cila është duke i marrë veprimet paraprake. Jemi në pritje të verifikimit të informatave nga Policia dhe në rast se Policia verifikon këto informata atëherë lënda do të kalojë tek Prokuroria e shtetit”, tha Kelmendi për Insporti.com.

Lidhur me këtë ndeshje është marrë vendim nga Komision i Garave i Ligës së Parë të Kosovës në futboll, pas shtrimit të ankesës nga klubi i Fushë Kosovës.

Ky komision ka vendosur që ndeshja t’i takojë Fushë Kosovës me rezultat zyrtar 3:0, me arsyetimin se futbollisti i KF Trepçës, Valmir Azemi, është aktivizuar edhe pse nuk ishte në protokollin zyrtar të ndeshjes. /Insporti.com