Real Madrid po e vështron Pogba-n

Futboll 16 Shkurt 2018 10:52

Në ndeshjet e fundit, duket se trajneri i Manchester United nuk ka qenë edhe aq i kënaqur me paraqitjet e francezit, pasi e kishte zëvendësuar në dy takime dhe në njërin nuk e përfshiu fare në 11-shen e parë.

Mirëpo jo vetëm Mourinho nuk është i kënaqur me formën e Pogba-s, por pas humbjes së United nga Newcastle, edhe analistë të ndryshëm sportiv në Angli, shprehen kritika të shumta në drejtim të francezit. Disa prej tyre madje e akuzuan për mendjemadhësi në fushë, duke thënë së pari, se nuk është as afër me paraqitjet e tij të mira që i kishte tek Juventus, e pastaj edhe se Pogba po sillet sikur ai i ka bërë nder Manchester United dhe Premier League që ka ardhur këtu të luaj. Për këtë arsye, disa prej analistëve, nuk ia vënë plotësisht fajin vetëm trajnerit Mourinho, për disa paraqitje të dobëta të Manchester United.

Të gjithë këtë situatë, nga distanca po e vështron me kujdes Real Madrid, e cila ashtu kështu kishte qenë e interesuar ta transferonte Pogba-n, por ky i fundit zgjodhi të rikthehej në “Old Trafford”. Francezi është në sezonin e tij të dytë më “Djajtë e Kuq”, me të cilët kishte nënshkruar për pesë vite, atëkohë për shumën rekord prej rreth 105 milion eurosh dhe “Los Blancos” nëse dëshirojnë shërbimet e tij, duhet të konsiderojnë një shumë që shkon mbi 130 milion euro.

Megjithatë, përkundër këtyre ndryshimeve të fundit nga Jose Mourinho, ai nuk do ta lëshojë francezin, mbi bazën e të cilit edhe e filloi ndërtimin e skuadrës së Manchester United.
Por, edhe Pogba nuk duket se ka qëllim të largohet nga United momentalisht, për më shumë ka qenë lojtari i cili mundohej të bindte edhe lojtarët tjerë francez, si Griezmann, t’i bashkohet “Djajve të Kuq”. /Insporti.com

-->