Real Madridi triumfon me rikthim ndaj Sociedadit

Futboll 05 Mars 2022 22:57

Real Madridi ka fituar me rikthim dhe me rezultat të thellë 4-1 ndeshjen e tyre në shtëpi ndaj Real Sociedadit në takimin e vlefshëm për javën e 27-të në La Liga.

Ekipi i Carlo Ancelottit ka vazhduar serinë pozitive në kampionat duke marrë edhe fitoren e tretë radhazi dhe duke rritur epërsinë me ndjekësit në tabelë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë që nisi më mirë për mysafirët, por me vendasit që u rikthyen me dominim dhe gjeten dy gola pas disavantazhit.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas dhjetë minutave lojë dhe ishte Mikel Oyarzabal, i cili kaloi Sociedadit në epërsi 1-0 pasi ishte i saktë nga pika e bardhë.

Vendasit u rikthyen në lojë duke shënuar dy supergola nga distanca brenda vetëm tre minutave me Eduardo Camavinga (40’) për 1-1 dhe Luka Modric (43’), i cili shënoi për 2-1 dhe me këtë rezultat ekipet shkuan në pushim.

Në pjesën e dytë, Los Blancos ishin skuadra e vetme që luajti duke krijuar shumë raste dhe duke shënuar edhe tri gola tjera, por njëri ia anulua nga VAR-i dhe dy tjerë qëndruan si të rregullt.

Në minutën e 69-të ishte Karim Benzema, i cili shënoi golin që u anulua pas rishikimit të VAR-it, por sulmuesi francez nuk u ndal dhe gjeti golin në minutën e 76-të për epërsinë 3-1.

Goli i katërt dhe i fundit për vendasit u shënua në minutën e 79-të dhe ishte Marco Asensio që shënoi për 4-1 pas vetëm dy minutave nga inkuadrimi dhe me këtë rezultat u mbyll ndeshja.

Pas kësaj fitore, Real Madridi e sheh veten në pozitën e parë me 63 pikë apo tetë më shumë se Sevilla e dytë, ndërsa Sociedadi renditet në vendin e gjashtë me 44 pikë.

-->