Reali e transferon yllin e Cityt, ja kur pritet të bëhet zyrtarizimi

Futboll 06 Janar 2019 12:08

Raportohet se talenti i Manchester Cityt, Brahim Diaz, është në rrugë të mirë t’i bashkohet Real Madridit.

Sipas BBC Sport, City ka shprehur gatishmëri të pranojë ofertën e Los Blancos në vlerë 17.3 milionë euro, por pasi bisedimet janë në fazën fillestare ajo mund të rritet për pesë milionë euro.

Për më shumë, Marca shkon edhe më larg duke thënë se 19-vjeçari do të prezantohet te klubi nga Madridi në javën e ardhshme dhe pritet të bartë fanellën numër 21.

Brahimi është një mesfushor sulmues që mund të luajë edhe në krahë. Ai iu bashkua Cityt nga Malaga në vitin 2013, kur ishte vetëm 14 vjeçar.

Lojtari iu bashkua skuadrës së parë tre vite më parë nga trajneri Pep Guardiola.

Marrëveshja e arritur mes klubeve po ashtu përfshin “një taksë ndaj Manchester Unitedit”, që do t’ia pamundësonte atij një kalim në “Old Trafford” në të ardhmen.