Reali luan “tenis” me Melillan

Futboll 06 Dhjetor 2018 18:45

Real Madrid nuk e ka pasur të vështirë të mposhtë 6-1 Melillan në ndeshjen e kthimit të fazës së 1/16 të Kupës së Mbretit, me ndeshjen e parë që ka përfunduar 4-0 në favor të madrilenëve.

Trajneri Santiago Solari kishte vendosur një ekip ndryshe në fushë, duke përfshirë Isco, Vinicius, Mariano dhe Asensio në sulm. Dhe ofensiva e “Mbretërve” ka shkëlqyer ndaj Melillas.

Pas një starti të ngadaltë, Reali e gjeti ritmin me kalimin e minutave dhe si pasojë goli i parë u shënua në minutën e 33-të falë magjisë së Marco Asensios. Vetëm dy minuta më pas spanjolli i talentuar ka dyfishuar rezultatin pas pasimit të Vinicius.

Përpara se të mbyllej pjesa e parë i riu Javier Sanchez ka trefishuar rezultatin me topin që preku tërthorësen para se të shkojë në rrjetë. Pas pushimit ishte perla e Iscos në minutën e 47-të që ka bërë “Bernabeun” të çohet në këmbë. Në minutën e 75-të u shënua goli i pestë i shënuar nga Vinicius Junior.

Tre minuta më pas mysafirët shënuan golin e nderit me Qasmi. Ndërsa Isco nuk ishte ngopur akoma dhe shënon golin e tij të dytë në minutën e 83-të.