Rekord historik në Australian Open, ja shifrat marramendëse për tenistët

Tenis 08 Janar 2019 22:18

Pas 5 ditësh do të nisë grand slam i Australian Open, që do të zhvillohet në Melburn më datat 14-27 janar.

Edicioni 2019 do të jetë më i pasuri në historinë e këtij grand slam, me një rritje prej 14% të të ardhurave krahasuar me një vit më parë.

Craig Tiley, drejtori i këtij turneu, tha se premio që do të jepet në total për të gjithë tenistët është 55 milionë euro (62.5 milionë dollarë).

Fituesi i këtij turneu, si për meshkuj ashtu dhe për femra, do të marrë një çek me vlerën e 2.5 milionë eurove, ndërsa finalistët 1.26 milionë euro.

Një fitim të konsiderueshëm do të kenë edhe tenistët që do të eliminohen në raundet e para, gati dyfishi i edicionit të kaluar.

“Ne mundohemi të kënaqim kërkesat e tenistëve, që janë yjet e vërtetë të këtij turneu”, tha drejtori i Australian Open.