Rekordmeni i Spanjës nuk e ka ndërmend të ndalet

Nations League 12 Tetor 2019 13:33

Qendërmbrojtësi Sergio Ramos do ta kalojë Iker Casillasin për t’u bërë lojtari me më së shumti paraqitje te Përfaqësuesja e Spanjës. Ramos të shtunën (sot) në ndeshjen kundër Norvegjisë do të regjistrojë ndeshjen e 168-të ndërkombëtare, të cilën Spanja synon ta fitojë për të siguruar kualifikimin në “Euro 2020”.

33-vjeçari pati debutuar me Spanjën në ndeshjen kundër Kinës të luajtur në vitin 2005, e cila përfundoi 3:0 në të mirë të spanjollëve falë golave të Fernando Torresit, Xavi Hernandezit e Joaquinit. Ramos është i mbijetuari i fundit i gjeneratës së artë të Spanjës, që fitoi një titull të botës dhe dy të Evropës.

Ramos prej vitit 2016 është kapiten i Spanjës, pasi ka zëvendësuar Casillasin që është tërhequr.

Megjithatë, Ramos insiston se nuk e ka ndërmend të ndalet, por do të vazhdojë të luajë për Spanjën edhe për shumë vjet të tjerë. Insiston se “statistikat janë për t’u ndryshuar” dhe tashmë është krenar që muajin e shkuar ka barazuar rekordin e Casillasit për më së shumti paraqitje te Spanja – 167.

“Ramos dëshiron të luajë për Spanjën derisa të mbushë 40 vjet dhe mendoj se do t’ia dalë, pasi është sportist i jashtëzakonshëm në çdo aspekt. Për Sergion mund të them vetëm gjëra të mëdha. Ai gjithmonë ka qenë i gatshëm ta ndihmojë ekipin dhe të jap gjithçka nga vetja sa herë që është ftuar”, ka thënë seleksionuesi i Spanjës, Roberto Moreno