Reprezentuesi i Kosovës në finale të ABA Ligës, pret Zvezdën ose Mornarin (VIDEO)

Basketboll 01 Prill 2018 19:53

Në Podgoricë ka përfunduar takimi i tretë i serisë gjysmëfinale të ABA Ligës ndërmjet Buducnostit dhe Cedevitës. Ekipet ishin 1:1 në dy takimet e mëparshme dhe në sallën e mbushur përplot në Podgoricë, do të përcaktohej finalisti i parë i ABA Ligës për këtë vit, që në finale do të ballafaqohet me fituesin e takimit ndërmjet Crvena Zvezdës dhe Mornarit që  zhvillohet nesër në Beograd.

Cedevita e Jure Zdovcit e nisi shkëlqyeshëm ndeshjen dhe krijoi epërsi 17:11 pas çerekut të parë, mirëpo, Buducnosti nuk ra nga loja, por u mbajt dhe pas 20 minutave e zvogëloi në 4 pikë epërsinë e mysafirëve 28:32, duke bërë që finalisti të vendoset në pjesën e dytë të ndeshjes.

Në fund të çerekut të tretë dhe fillim të çerekut të katërt Buducnosti pari një seri të shkëlqyeshme 21:4 dhe kaloi në epërsi prej 12 pikëve 6 minuta para fundit të ndeshjes.

Më pas ishte një gabim personal i Kruslinit ndaj Nemanja Gordicit i cili po tentonte për treshe dhe i shënoi tri gjuajtje të lira, një treshe e Popovicit nga distanca dhe dy vendosje të mira në mbrojtje që i mundësuan Buduncnostit të shënojë fitore.

Rezultati përfundimtar i takimit është 72:57.

Për adhuruesit kosovarë të basketbollit ëhstë interesante të thuhet se reprezentuesi i Kosovës Justin Doellman ka qenë pjesë vitale e Buducnostit në këtë takim dhe në plejof më Cedevitën në përgjithësi dhe do të luajë me këtë ekip në finale të ABA Ligës.

Doellman në këtë ndeshje shënoi 8 pikë, 6 kërcime dhe 2 asistime për 25 minuta, kurse përveç tij u dalluan edhe Popovic me 14 pikë dhe Landry me 11 pikë e 6 kërcime.

Cedevita, e cila pësoi kollaps në pjesën e dytë duke pësuar 27 pikë në çerekun e fundit ishte e udhëhequr në fushë nga Roko Leni Ukic me 12 pikë.