Revolucion te Barcelona, largohen këta lojtarë

Futboll 09 Maj 2019 17:08

Dështimi i radhës në Ligën e Kampionëve pritet të sjellë ndryshime në skuadrën e Barcelonës.

Mediat spanjolle, vetëm dy ditë pas eliminimit të turpshëm nga Liverpooli në Ligën e Kampionëve, pretendojnë se priten ndryshime të mëdha në eiop.

Tashmë dihet se Frankie De Jong do t’i bashkohet katalanasve nga Ajaxi, me të cilin mund të udhëtojë edhe Matthijs de Ligt për të përforcuar mbrojtjen.

Ëndrra mbetet Antoine Griezmann i Atletico Madridit, klauzola e të cilit pas 1 korrikut zbret nga 200 në 120 milionë euro.

Një çmim ky i përballueshëm për një klub si Barcelona, që një shifra të frikshme ka shpenzuar për të marrë Coutinhon dhe Dembelen, por që nuk dhanë atë që pritej në këtë sezon.

Gjithashtu priten edhe shumë largime të disa prej lojtarëve që vlerësohen se nuk kanë cilësitë e duhura për të luajtur me Barcelonën por edhe ata që nuk kanë treguar shumë për këtë fanellë në vitet e fundit.

Philippe Coutinho tashmë raportohet se ka zhvilluar një prej ndeshjeve të fundit me fanellën e Barcelonës, derisa vendimi për të ardhmen e tij duket se është marrë pas debaklit të pësuar në ‘Anfield’ – pikërisht stadiumi nga i cili Coutinho u largua për ta realizuar ëndrrën e tij në Barcelonë, e që nuk i doli siç kishte pritur.