Rigon Spahiu po shkëlqen tek gjiganti gjerman, vendosi për Kosovën para kësaj kombëtare

Futboll 09 Shkurt 2019 16:55

Përfaqësueses së Kosovës iu është shtuar edhe një talent në radhët e saj. Djaloshi nga Drenasi, Rigon Spahiu, është ai që po mahnit me lojërat e tij në futbollin gjerman.

Rigoni është pjesë e skuadrës U-16 të gjigantit gjerman, VFB Stuttgart, madje bart shiritin e kapitenit.

Spahiu për Insportin ka rrëfyer karrierën e tij dhe ofertat që ka pasur nga FC Bayern Munich dhe Borussia Dortmund, si dhe dëshirën e madhe që ka për të veshur fanellën e Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”.

15 vjeçari është i grumbulluar nga Përfaqësuesja e Kosovës, për grupmoshat U-16, të cilën e drejton trajneri i mirënjohur, Besnik Kollari.

Ai njihet si një lojtar që është i gatshëm të japë jetën në fushë për bashkëlojtarët e tij dhe skuadrën.

“Karrierën e kam filluar te një klub i qytetit, më pas klubi i Stuttgartit më ofroi kontratë dhe tash e disa vite jam te Stuttgarti  ku jam edhe kapiten në skuadrën U-16. Jam shumë i lumtur këtu, trajneri dhe drejtuesit e klubit kanë besim në mua. Luaj në pozitën e qendërmbrojtësit, pozitë kjo që kërkon shumë përgjegjësi, por ndeshje pas ndeshje po rritem si futbollist”, tha Spahiu për Insporti.com.

Talenti kosovar ka rrëfyer se ishte bërë synim i dy klubeve më të mëdha në Gjermani, Bayern Munich dhe Borussia Dortmund, të cilat ishin të interesuara për të siguruar shërbimet e tij.

“Para disa ditësh kam nënshkruar kontratën e re me Stuttgartin deri më 2022, por ekipet si Bayern Munich dhe Dortmund ishin shumë të interesuar për të më transferuar. Megjithatë Stuttgarti i refuzoi ofertat dhe deri në fund të kontratës do të jem pjesë e klubit. Në të ardhmen do të dëshiroja të luaja për Arsenalin ose Bayern Munich, deri atëherë duhet të punoj shumë që të mbërrijë nivelet më të larta të futbollit”, ka thënë Rigoni.

 

Rigoni po ashtu ka treguar se Matss Hummels dhe Laurent Koscienly, janë dy futbollistët që i pëlqen dhe se shpreson që një ditë të bëhet, një qendërmbrojtës i nivelit të tyre.

I pyetur nga Insporti se a kishte ofertë nga Kombëtarja e Gjermanisë, ai ka treguar se dëshira e tij është vetëm Kosova.

“Kam pasur mundësinë të luaj për grup-moshat e reja të Gjermanisë, por unë kam vendosur që të përfaqësoj vendlindjen e prindërve dhe ëndrra ime është që të luaj në stadiumin “Fadil Vokrri”, deklaroi 15 vjeçari.

Rigoni për Kosovën deri më tani është paraqitur në tri ndeshje, ndaj Skocisë, Qipros dhe Zvicrës.

Ai tashmë ka udhëtuar në Dubai së bashku me Kosovën.

 

 

-->