Rikthehet derbi i basketbollit të Kosovës– këto janë detajet e super sfidës

Superliga 04 Tetor 2019 13:56

Peja dhe Sigal Prishtina do të ballafaqohen në duelin kryesor të xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në basketboll, të shtunën në Pejë në ora 19:00.

Takimi shënon pikën e ringjalljes së rivalitetit më të madh sportiv në Kosovë të kohëve të fundit, të ndërprerë për shkak të mungesë së Pejës në basketbollin e Kosovës për një sezon.

Për shkak të borxheve të shumta ndaj lojtarëve, FIBA-s dhe FBK-së, Peja ishte përjashtuar nga garat, por këtë sezon, drejtuesit e këtij klubi, duket se kanë grumbulluar mjet të mjaftueshme të fillojnë të paguajnë borxhet, të shlyejnë dënimet administrative dhe të paguajnë pjesërisht obligimet ndaj FBK-së, duke siguruar kështu të drejtën e garimit.

Peja, me vendim “politik” të FBK-së është kthyer direkt në Sueprligë, dhe efekti u arrit – tashmë në Pejë sërish flitet për basketboll dhe sfida me Sigal Prishtinën, është ngjarja e dytë e fundjavës, kuptohet pas zgjehdjeve të përgjithshme të së dielës.

Mirëpo, këtu nuk ndalen faktet interesante për këtë ndeshje. Insporti shkruan se Bujar Loci trajneri aktual i Prishtinës, për shumë vjet ka qenë trajner dhe ndihmës trajner i Pejës dhe një nga lojtarët më të mirë të këtij klubi në vitet e 90-ta, kurse Jeronimo Sarin trajneri i Pejës, ka punuar një kohë si krye trajner i Sigal Prishtinës.

Kuptohet, pjesë e Prishtinës është Dardan Berisha, i lindur e rritur në Pejë dhe lideri i ekipit të Pejës herën e fundit që Peja u bë kampione, më 2013, kurse Malcolm Armstead basketbollisti amerikan me shtetësi kosovare, i cili luajti pak për Prishtinën, tash është startues në Pejë, shkruan Insporti, duke u bazuar në të dhënat zyrtare.

Ekipet kuptohet që kanë edhe basketbollistë të tjerë cilësorë amerikanë dhe kosovarë në përbërjet e tyre dhe kur kësaj i shton faktin se Karagaçi do të jetë i vogël për të pranuar tërë atë publik që dëshiron të shikojë këtë ndeshje, me arsye paralajmërohet si ngjarje e madhe.

Në anën tjetër, Sigal Prishtina shkon në Pejë si kampione e Kosovës, por jo si liderë e tabelës, meqë në xhiron e parë humbi nga Rahoveci dhe ekipi është nën presion për fitore. Peja ka një fitore ndeshjen e parë dhe ishte e lirë në xhiron e dytë, kështu që më e freskët dhe përkushtuar hyn në këtë sfidë, shkruan Insporti.