Rikthehet magjia e NBA, dyshja James – Davies i jep fitoren Lakers në derbi

Basketboll 31 Korrik 2020 10:25

Rikthehet magjia e NBA thuajse 5 muaj pas ndeshjeve të fundit të luajtura. Në “Walt Disney World Resort” në Orlando u zhvilluan dy ndeshjet e para në kalendar, të cilat dhuruan emocione të forta.

Los Angeles Lakers fituan derbin me Clippers, ndërsa Utah Jazz mposhtën New Orleans Pelicans.

Sfida që kishte tërhequr më shumë vëmendjen ishte ajo mes dy skuadrave kaliforniane, me Lakers që triumfuan edhe në përplasjen e dytë sezonale me rezultatin e ngushtë 103-101.

Gjithçka u vendos në frymën e fundit, me Lakers që fituan me vetëm dy pikë diferencë, falë dyshes LeBron James-Anthony Davis. Ish-i i Pelicans ishte protagonsit absolut i mbrëmjes dhe këtë e tregojnë statistikat e tij: 34 pikë, 8 “rebound” dhe 4 asiste.

Ndërkohë “Mbreti” James (16 pikë në total), u gjend në vështirësi në tri periodat e para, por u shfaq vendimar në finale, si në sulm (realizoi 4 pikë shumë të rëndësishme) dhe në mbrojtje (ndali sulmin final të Clippers). Skuadrës së drejtuar nga Doc Rivers, së cilës i mungonin Lou Williams dhe Montrezl Harrell, nuk i mjaftuan paraqitjet e Kawhi Leonard dhe Paul George, që shënuan respektivisht 28 dhe 30 pikë.

Ndeshja që shënoi zyrtarisht rinisjen e NBA-së u zhvillua mes New Orleans Pelicans dhe Utah Jazz, me këta të fundit që fituan me vështirësi 106-104. Ironi e fatit që suksesin skuadrës nga Salt Lake City ia dhuroi Rudy Gobert, basketbollisti i parë i NBA-së që rezultoi pozitiv me COVD-19.

Qendra franceze realizoi dy gjuajtjet e fundit të lira, që thyen ekuilibrin e plotë në rezultat 6.9 sekonda para rënies së sirenës. Në radhët e Jazz, që rikuperuan plot 16 pikë, realizuesit më të mirë ishin Jordan Clarkson me 23 pikë dhe Donovan Mitchell e Mike Conley, të dy me nga 20 pikë. Për Pelicans nuk mjaftuan 23 pikët e Brandon Ingram.

-->