Rikthehet përballja Mourinho – Guardiola

Futboll 02 Shkurt 2020 10:39

Liverpool vijon të fitojë dhe duket se po bën një kampionat të vetin, duke u shkuar shumë pranë titullit kampion, megjithatë Premier League vijon të jetë mjaft interesante, për vetë përballjet që ofron nga java në javë.

Kështu pasditen e sotme në orën 17:30, Tottenhami do të presë Manchester Cityn, ndërsa dy “armiqtë e betuar” si Jose Mourinho dhe Pep Guardiola do të mund të përballen sërish me njëri-tjetrin.

Londinezët nuk po kalojnë një moment fort të mirë dhe zona Champions është ende larg, ndaj Mourinho e di mirë që suksesi ndaj kampionëve në fuqi ka vlerë shumë të madhe, pasi do t’i afronte me vendin e katërt dhe do të rriste ndjeshëm moralin në skuadër.

Nga ana tjetër, Manchester City duket i dorëzuar tashmë në betejën për titullin kampion dhe fitoret e njëpasnjëshme të Liverpoolit ia zbehin edhe ato pak shpresa, por synojnë të konsolidojnë vendin e dytë dhe t’u shtyjnë sa më shumë festën e Liverpoolit.

-->