Rimeçi ndërmjet Joshuas dhe Ruizit mund të ndryshojë boksin përgjithmonë

Sporte luftarake 13 Gusht 2019 10:18

Misioni hakmarrës i Anthony Joshua kundër Andy Ruiz do të zhvillohet në Arabinë Saudite pasi kampioni i ri nënshkroi për rimeçin.

Ruiz e rrëzoi Joshuan katër herë para se ta nokautonte atë në raundin e shtatë në një përballje mahnitëse në New York më 1 qershor.

Britaniku menjëherë e aktivizoi klauzolën e rimeçit në kontratën e tij, por Ruiz ngurronte që ta nënshkruante kontratën, pasi Joshua dëshironte që përballja e dytë të zhvillohej në Cardiff.

Megjithatë u arrit një marrëveshje që lufta të zhvillohej në Arabinë Saudite më 7 dhjetor. Por, raportimet gjatë fundjavës pohuan se Ruiz ende nuk kishte nënshkruar për caktimin e vendit ku do të zhivvlohej përballja.

Megjithatë të hënën, promovuesi i Joshuas, Eddie Hearn ka thënë: “Të dy luftëtarët kanë nënshkruar për këtë rimeç dhe të gjitha organet drejtuese janë informuar”.

“Kishte shumë biseda se ku do të zhvillohej kjo luftë. Ne kishim mundësi në vendet si, Dubai, Katar dhe Abu Dabi, por donim të shkonim diku që besonte në sportin e boksit dhe kishte një vizion”.

“Ekziston një botë tjetër jashtë Cardiffit dhe Madison Square Garden dhe ne kemi një detyrim të zhvillojmë sportin e boksit në zona dhe rajone të reja”.

“Kjo ngjarje mund të ndryshojë boksin përgjithmonë, sepse nëse Arabia Saudite janë të gatshme të investojnë në këto përballje, mund të shihni një ndryshim të madh në dinamikën e sportit”, ka thënë më tej Hearn.

Lufta, për tre titujt botëror të peshave të rënda, WBA, WBO dhe IBF, do të zhvillohet në një arenë të hapur të krijuar prej 12,000 vendesh dhe do të fillojë rreth orës 22:00 sipas kohës tonë lokale.