Risi në pikëzimin e garuesve në Formula 1

Formula 1 08 Mars 2019 17:25

Kur kanë mbetur edhe 10 ditë që të nisë Botërori 2019 në Formula 1 një revolucion i vogël  mund të prezantohet që në garën e parë, që zhvillohet më 17 mars në Australi. Në Melburn, pritet të prezantohet rregullorja e re e pikëzimit, që synon të japë 1 pikë për pilotin që realizon xhiron më të shpejtë gjatë garës. Por me një kusht, që ky pilot të jetë mes 10 të parëve në atë garë, pra të klasifikohet në zonën e pikëve.

Ky ndryshim i rregullores është miratuar pak ditë më parë në Këshillin Botëror të FIA-s, por që të hyjë zyrtarisht në fuqi duhet të miratohet edhe nga Komisioni Sportiv i Formula 1. Të gjithë anëtarët duhet të çojnë votën e tyre përmes një e-mail deri më datën 15 mars.

Kjo nuk është hera e parë që aplikohet ky rregull, pasi ka qenë në fuqi nga viti 1950 deri në vitin 1959, në vitet kur zhvilloheshin garat e para të historisë së Formula 1. Ky rregull i pikëzimit për pilotin që realizon xhiron më të shpejtë në garë aplikohet edhe në Formula E dhe Formula 2. Ndërsa sistemi aktual i pikëzimit për 10 pilotët e parë në garë nuk pëson asnjë ndryshim.