River Plate – Boca Juniors, Tevez tregon a ka favorit

Futboll 06 Dhjetor 2018 23:49

Sulmuesi i Boca Juniors, Carlos Tevez, ka hedhur poshtë sugjerimet se River Plate ka disavantazh që finalja e Copa Libertadores do të luhet në Madrid.

Rivalët e përbetuar të futbollit argjentinas nuk mundën të zhvillojnë ndeshjen kthyese të garës më të madhe për klube në Amerikën Latine ekuivalente me Ligën e Kampionëve në Evropë.

Megjithatë, CONMEBOL ka vendosur që ndeshje të zhvillohet në Santiago Bernabeu për të evituar incidentet që ndodhën para ndeshjes kthyese.

River Plate protestoi ndaj këtij vendimi, por në fund vendosi të udhëtonte për të zhvilluar ndeshjen e madhe, e Tevez beson se Riveri ka më pak presion në Madrid.

“Është finale e çuditshme. Të luhet një ndeshje mes Bocas dhe Riverit në Madrid, është e çuditshme. Por, si lojtar, është me rëndësi që të fokusohemi në këtë ndeshje”.

“Riveri ka më shumë presion në shtëpi dhe tash është 50-50. Të luash në shtëpi, ndonjëherë shkon kundër jush në një finale të Copa Libertadores”.

“Falënderoj Spanjën, sepse gjithmonë na mirëpret. Ne jemi të lumtur që u zgjodh Spanja dhe jo ndonjë vend tjetër, por është pikëlluese që nuk mund të luajmë në vendin tonë”.

“Është pikëlluese sepse lojtarët, nuk merituan të shkojnë për të luajtur një finale në një shtet tjetër”, deklaroi Tevez.