“Ronaldinho mashtrues, Messi shumë majtak, Puyol i dobët” – cilësimet e Jose Mourinhos

Futboll 19 Mars 2019 11:24

Mediet në Angli kanë publikuar një analizë të Jose Mourinhos që vjen nga sezoni 2005/2006, nga një përballje mes Chelsea dhe Barcelonës në Ligën e Kampionëve.

Chelsea ishte takuar me Barcelonën në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve, përballje të cilën e kishte fituar skuadra nga ‘Camp Nou’ pas dy ndeshjeve.

Kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet nga ato përballje, dhe mediet në Angli kanë publikuar një raport interesant në lidhje me atë se si Jose Mourinho iu referohet lojtarëve të Barcelonës.

Këto analiza në prag të ndeshjeve, Mourinho i kishte bërë me atëbotë ndihmësin e tij, trajnerin portugez Andre Villas-Boas.

Mourinho atëkohë e kishte cilësuar Ronaldinhon një ‘mashtrues të vazhdueshëm’ që bie lehtë, ndërsa për Messin, që ishte vetëm 19-vjeçar, trajneri portugez thoshte se ka ‘cilësinë dhe shpejtësinë’, por është shumë i majtë, dhe me sjelljet e ngjashme të Ronaldinhos.

Ish-trajneri i Chelseat, nuk e kishte kursyer as kapitenin Carles Puyol, që cilësohet një legjendë në Barcelonë.

Mourinho, Puyolit i referohej si një lojtar agresiv, por shumë emocional, dhe një udhëheqës i dobët në mbrojtje.

Në sezonin 2005/06, Mourinho me Chelsean ishin eliminuar nga Barcelona, por kishin eliminuar gjigantin katalonas një vit më parë, në edicionin 2004/05.