Ronaldo flet për ‘Topin e Artë’ 2019

Futboll 12 Qershor 2019 14:56

Cristiano Ronaldo e ka pasuruar koleksionin e trofeve, pasi me Portugalinë triumfoi në Ligën e Kombeve. Kjo ka bërë që emri i tij të përmendet sërish si fitues i mundshëm i “Topit të Artë. Vetë portugezi thotë se nuk është i fiksuar pas trofeve.

“Nuk mund të jem i fiksuar pas trofeve. Por e pranoj se do të më pëlqente që të fitoja një tjetër ‘Top të Artë’”, ka thënë CR7. Fjalë të forta dhe të qarta, të cilat konfirmojnë dëshirën për të vijuar duelin me Lionel Messin. Kapiteni i Portugalisë mendon se ka bërë më shumë se gjithë të tjerët për ta merituar ai trofeun prestigjioz për vitin 2019, por statistikat thonë se ky nuk ishte sezoni më i mirë i karrierës së 34- vjeçarit.

Prej 2008-ës, kur ai luante në “Old Trafford” dhe shënoi sezonin e tij më të dobët (35 gola), nuk kishte bërë një sezon me shifra të tilla. Këtë sezon shënoi 28 herë. Dakord, ai e përfundoi sezonin si shënuesi më i mirë i klubit të tij, por jo golashënuesi më i mirë në Serie A.

Në 31 ndeshje në kampionat, shënoi 21 herë dhe dha 11 asistime, 5 gola më pak se “Këpuca e Artë”, Quagliarella. Ndërsa, përpara tij u renditën edhe Piatek (22 gola) dhe Zapata (23). CR7 ka shënuar vetëm 1 gol në fazën e grupeve të Championsit këtë sezon, rekordi i tij më i dobët në 10 vite.

Në total, sezonin evropian e mbylli me 6 gola në 9 ndeshje, po aq sa Marega dhe Tadic, dhe pas Lewandowskit (8 gola) dhe Messit (12). Në dy ndeshjet e Kupës së Italisë nuk shënoi dot, por e bëri në finalen e Superkupës së Italisë. Në total 43 ndeshje, 28 gola, 13 asistime. Rivali i tij i përjetshëm i përgjigjet me 50 ndeshje: 51 gola dhe 22 asistime. Kush e meriton “Topin e Artë”?