Ronaldo shokon Juventusin, do të largohet para kohe

Futboll 18 Prill 2019 14:59

Gjendja te Juventusi pas eliminimit nga Ajaxi është e zymtë. Edhe pse presidenti, Andrea Agnelli e kaloi situatën duke thënë se klubi është rritur me kalimin e viteve dhe se do të kthehet sërish të synojë Champions League në sezonin e ardhshëm, kjo deklaratë nuk ka përmirësuar moralisht ekipin.

Ndërkaq, ka mjaftuar sezoni i parë me Juventusin që Cristiano Ronaldo të mbetet i pakënaqur nga arritjet e bardhezinjve. Portugezi do të mungojë për herë të parë në një gjysmëfinale pas 8 viteve dhe trofeu i Serie A nuk i bën asnjë përshtypje.

Sipas disa medieve italiane, viti i ardhshëm mund të jetë i fundit i CR7 në Torino, teksa luzitani po mendon të largohet dy vite para përfundimit të kontratës. Ronaldo ka mbetur i pakënaqur pas ndeshjes me Ajaxin, teksa ai e kreu detyrën e tij duke realizuar dy gola në dy ndeshjet e fundit por skuadra nuk arriti t’i përgjigjej në të njëjtën mënyrë duke  e lënë të vetmuar.

Një fakt ky që u vërtetua edhe nga mamaja e Cristianos, teksa deklaroi se pas ndeshjes 34-vjeçari ishte shprehur se i vetëm nuk mund të bëjë mrekulli. Mesa duket, Ronaldo do të provojë edhe sezonin e ardhshëm por portugezi duket gjithnjë e më i bindur për të mos e respektuar deri në përfundim kontratën.