Ronaldo takohet me trajnerin e ri të Juventusit

Futboll 12 Qershor 2019 20:11

Edhe pse Chelsea është duke u përpjekur të mbajë edhe një sezon trajnerin italian Maurizio Sarri, duket se kjo përpjekje e dëshpëruar e londinezëve ka ardhur tepër vonë. Transferimi i Sarrit te Juventusi është një çështje e mbyllur.

Duket se vonesa e zyrtarizimit nga ana e bardhezinjve të trajnerit të ri ka ardhur për shkak se Cristiano Ronaldo ka kërkuar një takim me Sarrin. Takim që ka ndodhur gjatë orëve të fundit, ku janë vendosur “pikat mbi i” në lidhje me të ardhmen e skuadrës dhe lojën që aplikon Sarri.

Lajmin e konfirmon “Corriere Dello Sport”, që shkruan se pas këtij takimi edhe sulmuesi portugez ka dhënë “OK”-in e tij për emrin e Maurizio Sarrit si trajneri i ardhshëm i Juventusit. Çka do të thotë se orët në vijim do të vijojë një kontakt mes drejtorit sportiv Fabio Paratici dhe trajnerit Maurizio Sarri për të formalizuar transferimin dhe hedhur firmën në kontratë.