Ronaldo tregon favoritin e Champions League

Futboll 31 Gusht 2018 11:30

Para Cristianos ishte një tjetër Ronaldo ai që magjepste botën.

Ronaldo Nazario de Lima mbetet një ndër personazhet më të dashur për tifozët dhe më të kërkuar nga gazetarët, ndaj prania e tij në Monaco, për shortin e grupeve në Champions League, ishte një mundësi e mirë për të folur gjerë e gjatë.

Ai mendon se Reali është favorit për ta fituar për herë të katër me radhë Ligën e Kampionëve.

“Vazhdoj ta shoh Real Madridin si favorit, edhe pas largimit të Ronaldos. Nëse ka një favorit, ai është dhe do të mbetet Reali, ekip me shumë traditë në Champions League”, tha Ronaldo.

“Edhe Barcelona është kandidate. Ekipet angleze janë përforcuar shumë, por nuk janë në nivelin e Realit dhe Barcelonas”.

“Atletico? Është përmirësuar shumë dhe ka arritur një nivel të pabesueshëm, duke luajtur edhe dy finale në Champions. Duhet të jenë shumë të kënaqur me atë që kanë bërë”.

“Juventus? Ka bërë një goditje fantastike, të paimagjinueshme me Ronaldon, por kjo nuk do të thotë që janë automatikisht kampionë. Champions është shumë e vështirë, edhe pse Juventus-i ka një skuadër të shkëlqyer”, theksoi Fenomeni.

“Fiksimi Champions? Nuk e fitova kurrë, por nuk më krijon asnjë problem kjo gjë. Përkundrazi, kjo gjë më motivoi për shumë vite, për ta kërkuar suksesin, dhe kjo më bëri një futbollist më të mirë. Megjithatë, jam shumë i kënaqur për gjithçka kam arritur në karrierë. Nuk kam asnjë peng, as dëmtimet e shumta, sepse fati vendosi ashtu dhe nga vuajtjet u bëra person më i mirë, njoha vetveten”.

“Zidane? Fitoi 3 Champions rresht, si askush, dhe më pas u largua. Vendimi i tij më pëlqeu. E njoh mirë Zidane, është një trajner shumë i zoti, njeri i shkëlqyer, më i miri me të cilin kam luajtur në karrierë. Mund të shkojë te United? Nuk e di çfarë po ndodh në Manchester, por ngadalë me kritikat ndaj Mourinho-s: ai është special, ka fituar shumë”.

“Brazili? Mbetemi fabrikë yjesh, por kur vjen momenti për të bërë skuadra, diçka nuk shkon. Duhet të mësojmë nga Europa, 4 kampionët e fundit të botës janë Italia, Spanja, Gjermania e Franca, më parë kishte më shumë ekuilibër”, shtoi mes tjerash Ronaldo.

-->