Rrahmani: Kalimi në Serie A, hap i madh në karrierë

Kombëtarja 26 Qershor 2019 12:15

Amir Rrahmani pohon se ka bërë një hap të madh duke e marrë vendimin për t’iu bashkuar Hellas Veronës në Serie A nga Dinamo Zagrebi i Kroacisë dhe shpreson se do të ketë një sezon të mirë në ligën elitare italiane.

Qendërmbrojtësi i Kombëtares së Kosovës iu nënshtrua sot në mëngjes testeve mjekësore me Hellas Veronan, para se ta kompletojë kalimin nga Dinamo Zagreb te klubi i Serie A.

25-vjeçari mbërriti të martën mbrëma në Itali për të kompletuar transferimin nga Dinamo Zagrebi.

Para se t’i kryente testet mjekësore, Rrahmani u shpreh për mediat italiane duke thënë se po bën një hap të madh me kalimin në Verona.

“Është hap i madh për mua të transferohem në Itali, veçanërisht në Serie A dhe në Hellas Verona. Shpresoj të kem fillim të mbarë dhe të bëj ndeshje të mira dhe një sezon të mirë personalisht dhe me klubin. Forza Hellas!”

Veronës pritet t’i kushtojë rreth 2 milionë euro blerja e Rrahmanit. Kosovari pritet të nënshkruajë kontratë katërvjeçare.