Rrëfehet Milot Rashica, kjo është ndeshja më e veçantë me Kosovës

Nations League 29 Dhjetor 2018 11:34

Është 22 vjeç, pak nga pak po i afrohet kulmit të karrierës dhe po mundohet të bëhet i rëndësishëm në Bundesligë, një kampionat i një niveli mjaft të lartë.

Milot Rashica po i bën gjërat si duhet, pa u ngutur, duke punuar shumë e duke u bërë titullar në ndeshjet e fundit në Bundesligë, ku e ka shënuar një gol edhe këtë sezon, por natyrisht pret të aktivizohet më shumë pas janarit.

Anësori ofensiv i Kosovës ka qenë në shtëpi për festat e fundvitit dhe ka dhënë një intervistë për emisionin “Interaktiv” në “KTV”, ku ka folur për gjithçka nga karriera e tij dhe Kosova.

Viti që po mbyllet: “Besoj se ka qenë një vit shumë i suksesshëm, si në aspektin personal, ashtu edhe me kombëtaren e Kosovës. Së pari, u transferova nga Holanda në Gjermani, që ishte një hap shumë i madh në karrierën sime. Së fundmi e mbyllëm në mënyrën më të mirë, me kalimin e grupit në “Nations League”. Besoj se ka qenë një ndjenjë e jashtëzakonshme, jo vetëm për ne si lojtarë, por edhe për gjithë dardanët, gjithë popullin shqiptar.

Liga e Kombeve: “Kjo Ligë u ka leverdisur pikësëpari Kosovës dhe kombëtareve të rangut tonë. Më parë nuk kishim fare eksperiencë dhe kishim kundërshtarë tepër të fortë, ndërsa Nations League ka qenë pak më e lehtë për ne. Kemi kaluar shumë kohë së bashku, trajneri ka futur frymë të re në ekip dhe e kemi fituar me meritë grupin tonë. Kemi luajtur futboll të bukur, diçka që ka qenë shumë e vështirë më përpara, ndaj tani shpresojmë të kualifikohemi më tej. Ekipi është i ri, gjasat janë të mëdha që të rritemi dhe të përmirësohemi, por të shohim si do ecin ndeshjet në Nations League dhe në kualifikuese Europiani.

Ndeshja më e rëndësishme: “Ndeshja më e rëndësishme ka qenë ajo ndaj Azerbajxhanit në Prishtinë, aty duhej të fitonim patjetër, nuk ka rëndësi kush shënonte. Ai takim shoqërohej me presion, nga mediat e tifozët, por është diçka normale. Edhe ne e ndjenim presionin, por jo deri në atë pikë sa të mos dinim si ta menaxhonim situatën. Edhe barazimi na vlente, por ne dëshironim vetëm fitoren dhe goli i shpejtë na e bëri shumë më të thjeshtë”.

Tifozët: “E kemi përkrahjen e tifozëve kudo, edhe në Shkodër, por natyrisht distanca e probleme të tjera kanë ndërlikuar gjërat. Tani është gjithçka më e lehtë, në çdo drejtim. Stadiumi duhej të ishte sa më i madh dhe do ishte plot sado i madh të ishte kapaciteti, sepse tifozët janë pa fund”.

Kualifikimi për Europian: “Nuk kemi pasur dhe nuk do kemi ndonjëherë rrugë më të lehtë për të shkuar në Europian, besoj. Kemi kualitete, kemi tifozët dhe do të mundohemi t’ia dalim mbanë nga Nations League. Në kualifikueset e Europianit presioni nuk është i madh, do të mundohemi të bëjmë diçka të mirë edhe në kualifikuese, edhe pse kemi përballë ekipe të mëdhenj, duke nisur nga Anglia. Kur na ra shorti me Anglinë, e kishim të qartë vështirësinë, por do jetë një eksperiencë e bukur, do të mundohemi të dalim sa më mirë. Për rivalët e tjerë do kemi kohë t’i analizojmë, duke mos menduar për një periudhë afatgjatë, por të shohim ndeshjen e radhës, duke dhënë maksimumin. Nëse shohim kualitetet individuale dhe ndeshjet tona, nuk kemi shumë dallim nga rivalët, përveç Anglisë”.

Challandes dhe ndryshimi te Kosova: “Ndërrimi i trajnerit gjithnjë fut një frymë të re, taktika ndryshon. Fati i keq për Albert Bunjakun ka qenë se kemi qenë një brez lojtarësh të rinj në moshë, pa eksperiencë dhe kemi pasur përballë kundërshtarë më të fortë. Me ardhjen e Challandes, u ndeshëm me kundërshtarë të nivelit tonë dhe ai solli një energji pozitive, ndryshoi shumë gjëra dhe kombëtarja është moblizuar në maksimum jo vetëm në fushë, por edhe në organizim, shumë më mirë se ç’ka qenë, duke nisur nga stafi i kompletuar”.

Fadil Vokrri: “Ka qenë një njeri shumë i rëndësishëm për të gjithë. Për mua ka qenë një lajm shumë tronditës,m një muaj para vdekjes së tij u takuam para një ndeshjeje. Ka qenë një njeri që mund të diskutoje gjithçka, jo vetëm për futbollin. Ka qenë një humbje shumë e madhe, për ne si ekip dhe për gjithë popullin shqiptar. Për shkak të tij, është plotësuar ëndrra e ime dhe çdo shqiptari, që ka pasur dëshirë për të luajtur për Kosovën, duke u ndeshur si të barabartë me shtetet e tjera”.

Aventura në Gjermani: “Për momentin mirë. Fillimi ishte i vështirë, është një kampionat, që ndryshon shumë nga ligat e tjera. Megjithatë, së fundmi jam përshtatur, po stërvitem mirë dhe po luaj gjithnjë e më shumë. Objektivi është të kualifikohemi për kupat e Europës, e nisëm shumë mirë, por tani nga mesi kemi pasur probleme me dëmtimet dhe rezultatet kanë pësuar rënie, por gjithsesi kemi potencialin dhe cilësinë për 6-7 vendet e para. Dallimi ka qenë shumë i madh midis Holandës dhe Gjermanisë, në Bundesligë ka më shumë vrap e më shumë mbrojtje, atmosfera është fantastike dhe stadiumet janë plot në çdo ndeshje. Para dy javësh luajtëm në Dortmund, më shumë se 80 mijë persona në stadium, ishte impresionuese, nuk kisha luajtur kurrë në një stadium kaq të madh”.

E ardhmja: “Për momentin ndihem shumë mirë te Werder. Më pëlqen shumë kampionati dhe atmosfera. në futboll nuk i dihet asnjëherë, por kontrata ime zgjat deri në vitin 2022. Synimi im është të luaj këtu, sa më shumë, dhe të fitoj me Werder”.