Rrëfimi i njërit prej talentëve më të mëdhenj te Përfaqësuesja e Kosovës

Kombëtarja 16 Prill 2018 14:55

Futbollisti nga Gjilani, fillimisht nuk u ftua për disa ndeshje në Përfaqësuese, por ndërkohë filloi të luante rregullisht te Brondby në Danimarkë.

E shkëlqimi i tij në futbollin danez, bëri që Besar Halimi të ftohej edhe në Përfaqësuesen e Kosovës, ku tregoi se meritonte edhe më herët ftesën.

Ai pasi luajti ndeshjet e fundit kualifikuese, ishte titullar në miqësoren e nëntorit ku shënoi golin vendimtar përballë Letonisë në fitoren 4-3.

Në një intervistë për “Goal.com” në versionin gjermanisht, Halimi flet për karrierën e tij, Përfaqësuesen e Kosovës, mikun e tij të ngushtë Emre Can dhe të ardhmen.

“Trajneri Alexander Zorniger ishte një nga arsyet kryesore për të ardhur unë tek Brondby dhe kjo skuadër më ka dhënë mundësinë për të luftuar bashkë për titull të kampionit”, u shpreh Halimi.

Gjilanasi për herë të parë në karrierën e tij luajti jashtë Gjermanisë dhe ngeli pozitivisht i befasuar me pritjen që i është bërë atij në Danimarkë.

“Nuk jam i befasuar me lojën time pasi e di se çfarë mund të bëj në ndeshje dhe besoj në lojën time”.

“Brondby është stacioni i parë për mua jashtë Gjermanisë, kësisoj mu desh që të adaptohem në fillim. Njerëzit në Danimarkë ma bënë më të lehtë këtë zgjedhje, pasi kuptova që kam ardhur te një klub i madh me struktura të mira”, vazhdoi tutje mesfushori ofensivë.

Halimi flet edhe për tifozët e Brondby-t, që njihen si më të mirët dhe më të zhurmshmit në Danimarkë.

“Tifozët tanë janë të mrekullueshëm, nëse luajmë në shtëpi ose jashtë nuk ka rëndësi, ata gjithmonë janë afër nesh”.

“Në një takim fituam pas një kohe të gjatë në derbi ndaj Copenhagen si mysafirë dhe u rikthyem në stadiumin tonë duke festuar me 3000 tifozë që kishin ardhur për të na pritur dhe ishte përvojë fantastike”, tha Besar Halimi.

Përndryshe 23-vjeçari, shpreson që në fund të këtij sezoni në Danimarkë, pas përfundimit të play-offit, ta festojë titullin e kampionit me Brondby-n. /Insporti.com

 

-->