Rrëfimi i Samir Shaptahovicit, debutimi si 14 vjeçar dhe kundërshtari më i vështirë

Superliga 28 Gusht 2020 19:38

Njëri nga organizatorët më të mirë pasluftës në basketbollin e Kosovës pa dyshim ishte Samir Shapatahoviqi. Basketbollisti shqiptar, i cili filloi rrugëtimin në basketbollin e Kosovës nga Prishtina. Me treshet e tij nga largësia, asistimet dhe luftën në parket, fitoi zemrat e adhuruesve të basketbollit të Kosovës. Samiri luajti edhe për Mabetex-in, Bashkimin dhe Pejën, duke fituar shumë trofe.

Në një intervistë për faqen zyrtare të FBK-së, ai flet që nga debutimi në moshën 14-vjeçare, rrugëtimin në basketbollin e Kosovës, idhullin e tij, kundërshtarin më të vështirë, ndeshjet më të veçanta dhe mesazhin për të rinjtë.

Si vendose të luaje basketboll?

Në kohën time kur kam filluar të luaj basketboll, nuk ke pasur shumë zgjidhje. Ose rrugën e keqe ose të merresh me sport. Unë zgjodha rrugën e mirë dhe familjes time, që të merrem me sport. Basketbolli ka qenë sporti i parë dhe i fundit sport që unë e kam dashur. Iniciatori më i madh ka qenë babai jem Arifi (i cili ka ndërruar jetë). Babai im ka qenë vet sportist dhe më kujtohet secila këshillë në atë atë kohë të vështirë. Sigurisht në atë kohë nuk ka qenë aspak e lehtë për mua, sepse të gjithë e dinë sa respektohen shqiptarët në Mal të Zi. Baras me zero. Por fati dhe puna jem e palodhshme më ka bërë të dallohem prej të gjithë fëmijëve të tjerë. Me 14 vjet kam debutuar për skuadrën e parë të Mornar Bar. Ka qenë ëndrra ime që të jem në skuadrën e parë, që më është realizuar në atë kohë.

Cili ka qenë idhulli yt në fëmijëri?

Secili prej neve si në atë kohë gjithashtu edhe tash, nuk ka pas tjetër idhull përveç të vetmit Michael Jordan.

Cili ka qenë trofeu më i rëndësishëm për ty dhe pse?

Secili trofe i fituar ka të veçantat e veta. Shumë vështirë të përcaktohesh se për cilën Kupë. Por, një gjë e di sigurt, që ai që e fiton është ndjenja më e bukur në jetë. Ne basketbollistët vetëm një ëndërr e kemi. Të bëhemi kampion të shtetit ku luajmë.

Cilën ndeshje nuk mund ta harrosh asnjëherë?

Ndeshjen kur kam luajtur në Mornar Bar. Isha vetëm 17-vjeçar dhe kemi luajtur kundër Crvena Zvezda në Tivar. Kam shënuar 38 pikë. Ishin edhe udhëheqësia dhe lojtarë të Prishtinës dëshmitarë në atë ndeshje.

Ka qenë edhe ndeshja kundër Efes Pilsen në Turqi dhe Prishtinë. Gjithashtu edhe ndeshja Prishtina – Mabetex. Por, ka pasur edhe takime tjera si, Peja – Prishtina në finale të Play-off-it dhe ajo Peja – Teodo Tivat.

Cili ka qenë kundërshtari më i vështirë që je ballafaquar?

Nuk kam pasur edhe kundërshtarë aq cilësor. Sepse kam pasur shumë vetëbesim në veten time dhe e kam konsideruar veten që jam bindshëm më i mirë. Unë do të citoj legjendën e basketbollit kosovar dhe evropian, Ferid Zekolli, i cili njëherë më ka thënë: Unë bashkëlojtarët e mi i kam problemin më të madh. E pyes pse, dhe ai më përgjigjet sepse po më pengojnë t’i shkatërroj kundërshtarët. E vërteta është që më ka ndodhur mua kjo shumë herë. Me mua mund ‘të matet’ vetëm Artan Mehmeti, por nuk e tregoj arsyen. Shpresoj se do ta takoj një ditë dhe ta përshëndes.

Sa të mungon basketbolli dhe atmosfera nga koha kur ke luajtur?

Basketbolli në veçanti më mungon shumë. Më mungojnë edhe tifozët, stërvitjet dhe përgatitjet për lojë. Në veçanti më mungon secila fjalë basketboll.

Cili është mesazhi për lojtarët e rinj që duan të merren me basketboll?

Mesazhi im për të rinjtë është i njëjti me atë që i them edhe djalit tim. Është lehtë të jesh një person i keq, por problem të jesh njeri i mirë. Fillimisht duhet të jetë njeri, të largohet nga rrugët e këqija, me qenë afër familjes së tij. Sporti në veçanti duhet të jetë në mendjen e një adoleshenti. Kam kaluar 12 vite të mrekullueshme në Kosovë që nuk do t’i harroj asnjëherë. Zoti i ruajt të gjithë shqiptarët.  

-->