Rrëfimi i super agjentit shqiptar i cili transferoi Topallin dhe Mustafën në Turqi

Futboll 06 Shtator 2020 11:37

Rahman Kiçe është agjenti që ka bërë “magjinë” e afatit kalimtar për futbollistët shqiptarë nga Kosova. Kiçe ka bërë dy super lëvizje duke siguruar top kontrata për Jetmir Topallin dhe Ilir Mustafën. Janë këtë dy futbollistë që këtë afat kalimtar të  verës u transferuan në futbollin turk, njëri në elitën e futbollit turk e tjetri në rangun e dytë (Ligën e Parë). Topalli u transferua nga Ballkani në Yeni Malatyaspor, ndërsa Mustafa nga KF Liria në Ankara Keçiorengucu.

Arbnor Luta

Kiçe është një agjent shqiptar nga Kosova, i cili veprimtarinë e zhvillon në Turqi nëpërmjet kompanisë së tij KA Sports-Management.

Insporti ka realizuar një intervistë ekskluzive me Rahman Kiçe, i cili ka rrëfyer momentin kur ka telefonuar Mustafën për ta njoftuar se do të transferohet në Turqi dhe se si Topalli është lëvizje e tij më e madhe deri më tani.

Kiçe tash e një kohë ka në menaxhim të dy futbollistët, thotë se negociatat për transferimin e Topallit dhe Mustafës nuk kanë qenë të lehta, por që u realizuan në fund pasi që edhe talenti i tyre na lehtësoi punën. “Kemi punuar edhe po punojmë që futbollistët tonë që i kemi në kompani t’i promovojmë në ekipe të ndryshme të Turqisë, Gjermanisë, Austrisë. Jetmir Topalli në Superligë dhe Ilir Mustafa në Ligën e Parë janë dy futbollistë që kemi arritë suksesshëm t’i transferojmë, dihet që nuk ishte e lehtë”.

Transferimi i Mustafës në Turqi ishte befasi pasi askush nuk e priste një lëvizje të tillë, ani pse mesfushori 24 vjeçar zhvilloi një sezon të mirë në aspektin personal me fanellën e Dukagjinit në Superligë.

Agjenti shqiptar, Rahman Kiçe

Kice për Insportin ka deklaruar se negociatat për Mustafën ishin jo edhe të lehta por që momenti më i mirë ishte kur e zhvilloi telefonatën për t’ia treguar lajmin se ka kompletuar transferimin e tij. “Mustafa është një futbollist i talentuar dhe punëtorë i madh, por ka kohë që është nën menaxhimin tonë por planet nuk kanë shkuar qysh i kemi planifikuar, sepse kishte një lëndim që ia ndaloi disi largimi nga futbolli i Kosovës. Tani është rikthyer në formë, kur e telefonova dhe i tregova që do të transferohet në klub Turk, ai u shtang dhe për 5 minuta nuk arriti të më kthente përgjigje, u befasua shumë. Është një djalë i shkëlqyeshëm, shpresojmë që së shpejti do të arrijë në Superligë të Turqisë”.

Ndërsa, transferimi dhe negociatat për Jetmir Topallin ishin më të lehta, pasi ai vinte nga një super sezon të zhvilluar me Ballkanin. Sipas Kiçes, transferimi i mesfushorit sulmues, 22 vjeçar, është arritja më e madhe e tij që ka bërë deri më tani.

Kiçe dhe Ilir Mustafa me fanellën e KF Lirisë

“Topalli është arritja më e madhe për momentin e afatit kalimtar, kushtet i ka shumë te mira, është futbollist tejet i talentuar. Ka nënshkruar kontratë tre vjeçare, kam besim të madh në të. Shpresojmë që do ambientohet shpejtë me ekipin dhe të luajë titullar”.

Topalli në Yeni Malatyaspor u transferua si futbollist i lirë, ashtu siç bëri edhe Ilir Mustafa.

Në futbollin turk pritet të iu bashkohen Arbër Hoxha dhe Blend Baftiu, të cilët kanë arritur marrëveshje me Alanyaspor.

Agjenti Kiçe për Insportin ka zbuluar se është duke punuar edhe në një transferim tjetër nga Superliga e Kosovës për në Turqi, për të cilin shumë shpejtë do të përfundojnë negociatat. Ai ka zbuluar bashkëpunëtorët e tij në Kosovë, të cilin i ndihmojnë në skautimin e futbollistëve. “Fillimi si agjent ishte i vështirë tani e kam më të lehtë kompania jonë është zgjeruar. Për momentin kemi 12 punëtorë dhe 8 bashkëpunëtorë në shtete të ndryshme, në Kosovë kemi 3 bashkëpunëtorë. Gazmend Kiçe ,Driton Bajrami dhe Adem Neziri, së shpejti do të hapet edhe zyra e kompanisë atje (në Kosovë) që të jemi më afër futbollistëve shqiptarë”.

Kiçe dhe Oltion Bilalli gjatë prezantimit me klubin turk Balikerspor

Rahman Kice në menaxhim ka edhe portierin e Kombëtares së Shqipërisë, Gentian Selmani (Mememen Sport), Oltion Bilallin (Balikerspor), Idriz Bathën (KF Tirana), Egzon Bejtullahin (KF Shkëndija), David Domgjonin (Mememen Sport), Florjan Smakiqin (KF Feronikeli), Florent Avdylin (KF Teuta), Jackson Ferieira (SC Gjilani). /Insporti.com/

-->