Rregullorja e re, ja pse goli i Sherifit ishte i parregullt

Futboll 02 Gusht 2019 16:47

Sherif Tiraspol ka eliminuar Partizanin me një gol shumë të dyshimtë, që mund të konsiderohet edhe i parregullt. Në minutën e 63-të të takimit, ka një krosim nga e majta dhe N’Diaje arrin që t’i shpëtojë mbulimit të mbrojtjes së kuqe dhe shtyn sferën drejt rrjetës.

Mirëpo, ai dyshim momental i asistentit të parë të ndeshjes mund të rezultojë fatal për fatet e të kuqve në kompeticionet europiane. “Panorama Sport” sjell edhe argumentet, bazuar në shpjegimet e rregullores së re të FIFA-s. Në bazë të pamjeve, futbollistët e kuq kanë të drejtë në protestë, sepse bëhet fjalë për gol të parregullt, duke qenë se ka faull të shkaktuar nga moldavët dhe pozicion jashtë loje.

RASTI – Së pari, duhet përmendur që ndeshja mes Sherif Tiraspolit dhe Partizanit në vendin tonë ka ardhur masivisht nga pamjet që ka shpërndarë skuadra moldave në faqen zyrtare të saj. Pra, mungojnë pamjet anësore nga një regji e mirëfilltë televizive që do të saktësonin të gjithë dinamikën e atij aksioni që ka sjellë golin. Së dyti, dy janë momentet që duhen analizuar në aksion. Pozicioni i N’Diajes (1), që shënon golin dhe pozicioni i Balimas (3), në raport me Brojën (2). Për të parin, me anë të pamjeve që ekzistojnë, mund të thuhet se N’Diaje gjendet në mos pas mbrojtësve të kuq, të paktën është në vijë pa i kaluar ata. Pra, në bazë të pamjeve, lojtari që shënon është në pozicion të rregullt.

ARSYETIMI – Mirëpo, ajo që e bën më shumë se të dyshimtë këtë gol, pra të parregullt, është ndryshimi i rregullores bërë së fundmi nga FIFA. Kjo e fundit, në bazë të precedentit në ndeshjen mes Hapoel Ber Shevës dhe Interit dhe ndeshjeve të tjera në vazhdim, ka ndryshuar rregullin në këto situata të pozicionit jashtë. Pra, Balima duket në pozicion jashtë loje, por ai nuk prek topin.

(Faksimile e rregullores së ”Rregullave të Lojës” ku rregulli 11 saktëson episodin e ndodhur gjatë golit të Partizanit dhe arsyen pse duhej anuluar)

Në bazë të rregullores së re, nëse ai pengon lojtarin mbrojtës (interferon), konkretisht Brojën, atëherë goli duhet anuluar, sepse konsiderohet pozicion jashtë loje. Fotot e mësipërme ilustrojnë momentin që N’diaje është në pozicion të rregullt kur është ekzekutuar goditja e dënimit dhe momenti i dytë mund të faktojë pengimin që i bëhet Brojës nga Balima, i cili gjendet më i avancuar sesa mbrojtësit, pra në pozicion jashtë loje. Pra, në momentin e dytë, Balima bëhet aktiv, duke i bërë bllok Brojës, i cili kishte shanse të shkonte te topi, pasi ndodhej pranë lojtarit që shënoi golin. Në këtë rast, kemi të bëjmë me faull dhe me pozicion jashtë loje