Rrnoftë facebook-u, klubet e Superligës offline pa ueb faqe

Futboll 06 Shkurt 2019 18:53

Klubet kosovare vazhdojmë të mos u japin aspak rëndësi uebfaqeve, ashtu siç bëjnë të gjitha klubet evropiane.

Nëse një tifozi të thjeshtë ose një gazetari i intereson një informatë për një klub të caktuar, atë e ka shumë vështirë ta gjejë. Përjashtim në këtë drejtim bën Prishtina. Informimin e opinionit klubet po e shohim të arsyeshme ta bëjnë vetëm përmes rrjeteve sociale.

Nëse një menaxheri ose një trajneri të huaj i interesojnë informatat për një lojtar të caktuar në Kosovë, ai nuk mund të informohet në sekondë për të dhënat personale. Shumica e klubeve kosovare nuk po jetojnë në kohën e teknologjisë, sikurse klubet evropiane. Shtatë klube të Superligës së Kosovës në futboll nuk kanë uebfaqe për t’i pasqyruar aktivitetet e tyre, ndeshjet, futbollistët ose grupmoshat e reja. Zakonisht lajmet i publikojnë në faqet e tyre në rrjetin social “Facebook”, shkruan gazeta “Zëri”.

Mirëpo ka edhe klube që bëjnë përjashtim. Klubi i Prishtinës e ka uebfaqen shumë aktive në të cilën pasqyrohen lajmet më të fundit rreth “Bardhekaltërve”.

Kampioni në fuqi i Kosovës, skuadra e Dritës, nuk dallohet për organizim të mirë sa u përket informatave.  FC Drita e ka uebin, mirëpo nuk është duke funksionuar që nga muaji qershor i vitit të kaluar. Hapa para me teknologjinë po bën Ballkani i Therandës.  Klubi “Portokalli” është duke e dizajnuar uebfaqen. “Komshinjtë” e Ballkanit, Liria e Prizrenit e ka uebfaqen, mirëpo momentalisht nuk është duke punuar.  Llapi e ka hupur një ueb, por sikurse i Lirisë nuk është funksional.

Shtatë klube të Superligës janë pa uebfaqe

Nëse ju intereson një lajm për klubin e Feronikelit atë nuk mund ta gjeni në uebfaqe, pasi klubi ende nuk e ka parë të arsyeshme ta hapë një të tillë. Uebi i mungon edhe klubit tjetër kosovar Gjilanit, sikurse skuadrës nga Skenderaj, Drenica. Mungesë të faqes ka edhe klubi tjetër kosovar, Flamurtari nga Prishtina. As drejtuesve të Trepçës ’89 nuk u ka rënë ndërmend për hapjen e një uebi, përmes të cilit do t’i informonte tifozët dhe njerëzit rreth të rejave të fundit në skuadër. Prapa sa u përket uebfaqeve kanë mbetur edhe dy klubet e tjera kosovare, Ferizaj dhe KEK-u.

Sermaxhaj: Vetëm në Kosovë ndodhin gjëra të tilla

Ish-futbollisti kosovar Genc Sermaxhaj mendon se klubet duhet t’i kushtojnë shumë rëndësi informimit të opinionit. “Klubet do t’i kushtojnë rëndësi të veçantë edhe mjeteve të informimit, në mënyrë që ta informojnë sa më shpejt opinionin për gjërat që ndodhin. Janë shumë të rëndësishme për tifozët transferimet, seancat e përditshme stërvitore, fotografitë e lojtarëve e gjëra të tjera. Mendoj se një gjë e tillë e bën një klub më profesional”, ka thënë Genc Sermaxhaj për gazetën “Zëri”.

“Vetëm në futbollin tonë kemi vështirësi të tilla për t’u njoftuar me profilin e një lojtari në një klub të caktuar. Klubet evropiane kanë të dhëna për secilin futbollist, madje edhe për njomakët e tyre”, potencoi Genc Sermaxhaj.

FFK-ja, vetëm dy klube i përdorin uebfaqet

Zyrtari i IT-së në Federatën e Futbollit të Kosovës, Dardan Sadiku, thotë se vetëm dy klube kosovare i kanë faqet aktive. “Shumica e klubeve nuk kanë uebfaqe, por rrjetet sociale i përdorin për informim. Kemi dy klube që kanë, i përdorin uebfaqet dhe janë të organizuara. Por digjitalizimi si proces te ne është duke shkuar në hapa të shpejtë dhe nuk mund t’i ikim kësaj epoke. Ne kemi filluar edhe me regjistrimin e lojtarëve në sistemin online. Federata tashmë e ka një databazë për çdo lojtar prej moshës 6-vjeçare. Kur lojtarët regjistrohen ata e marrin një numër të ID-së, si lojtarët, ashtu edhe zyrtarët e klubeve. Në krahasim me rajonin jemi të parët që i regjistrojmë edhe lojtarët amatorë që prej moshës 6-vjeçare”, ka deklaruar për “Zërin” Dardan Sadiku, zyrtar i IT-së në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Klubet e Superligës me uebfaqe:

Prishtina – Faqja është aktive

Feronikeli – S’ka

Llapi – Faqja nuk është aktive

Gjilani – S’ka

Drenica – S’ka

Drita –

Flamurtari – S’ka

Trepça ’89 – S’ka

Ballkani – Faqja nuk u përpunuar

Liria  – Faqja nuk është aktive

Ferizaj – S’ka

KEK-u – S’ka.

-->