Rrugëtimi i Vedat Muriqit nga KF Liria në majet e futbollit turk

Vedat Muriqi nga sezoni i ardhshëm do veshë fanellën e gjigantit turk, Fenerbahce, shkruan Insporti.com.
Transferimi i tij në Fenerbahce nga Rizespor është konfirmuar gjatë ditës së sotme nga të dy klubet, duke e përfunduar kështu “telenovelën Vedat Muriqi”.
Muriqi sezonin që shkoi ishte thjesht fantastik për Çaykur Rizespor duke qenë një ndër futbollistët kryesor të skuadrës.
Reprezentuesi i Kosovës zhvilloi sezonin e tij më të mirë në karrierë duke shënuar 17 gola dhe dhuruar 8 asistime në 34 ndeshje në Superligen turke.
Kjo bëri që shumë skuadra evropiane të interesohen për shërbimet e tij, por “lufta” kryesore për shërbimet e tij është bërë në mes të dy skuadrave më të mëdha në futbollin turk, Galatasaray dhe Fenerbahce.
Dëshira e reprezentuesit të Kosovës ishte të luante në një skuadër që i garantonte garën më të fortë evropiane në nivel klubesh “Ligën e Kampionëve”, e këtë mundte vetëm Galatasaray me kryetrajnerin legjendar, Fatih Terim, shkruan Insporti.com.
Gjatë kësaj periudhe mediet turke dhe shqiptare raportonin se ai kishte arritur marrëveshje me Galatasaray por që drejtuesit e Rizespor kërkonin shumën e “çmendur” prej dhjetë milionë euro.
Madje, ditë më parë vetë futbollisti nga Prizreni njoftoi se ai do të qëndronte në Rizespor deri në fund të kontratës së tij, pasi klubi nuk e lejtonte kalimin tek Galata.
Megjithatë, Muriqi sezonin e ardhshëm do të jetë sulmuesi i Fenerbahces duke nënshkruar kontratë katërvjeçare. Fenerbahce për shërbimet e tij ka paguar 3,5 milionë, gjithnjë sipas medieve turke. Në këtë marrëveshje po ashtu janë përfshirë dhe dy futbollistë të Fenerbahces që do të huazohen në Rizespor.
Rrugëtimi i sulmuesit 25 vjeçar deri në majet e futbollit turk është mjaft interesant, pasi gjithçka filloi në Prizren me skuadrën e famshme kosovare, KF Liria, shkruan Insporti.com.
Në vitin 2005 Muriqi filloi hapat e parë si futbollist duke kaluar në grupmoshat e Lirisë dhe në vitin 2010 bëri hapin e madh duke kaluar në skuadrën e parë.
Në moshën 19 vjeçare Muriqi kaloi nga Superliga e Kosovës në kampionatin shqiptar, duke nënshkruar me Teutën e Durrësit.
Në sezonin e tij të parë në Shqipëri (2013-14) ai u paraqit në 18 ndeshje duke shënuar vetëm një gol për skuadrën e Teutës. Pas vetëm gjysmë sezoni të kaluar me Teutën, ai u huazua në Besë të Kavajës më 30 janar të vitit 2014. Për Besën e Kavajës zhvilloi 13 ndeshje duke shënuar 3 gola.
Në verën e vitit 2014, Vedati kaloi kufijtë shqiptar duke u transferuar në Turqi si futbollist i lirë te skuadra turke, Giresunspor në rangun e dytë të futbollit turk.
Muriqi me skuadrën e Giressunspor qëndroi dy sezone. Me fanellën e Giresunspor shkëlqeu duke filluar të bëj emër në futbollin turk.
Në 57 paraqitje për Giresunspor shënoi 21 gola. Pas vetëm dy sezonesh me këtë skuadër, Genclerbirligi e bleu kartonin e Muriqit për vlerën e 720 mijë eurove, shkruan Insporti.com.
Edhe në skuadrën e Genclerbirligi qëndroi vetëm dy sezone. Paraqitjet e mira të Muriqit në futbollin turk vazhduan pa ndonjë problem të madh, pasi fati dhe suksesi e përcjelli edhe te kjo skuadër.
Gjatë këtyre dy sezoneve sulmuesi shtatëlartë shënoi 36 gola në 46 paraqitje në të gjitha garat për “Gençler”.
Klubi i gjashtë i Muriqit ishte Çaykur Rizespor, klub që kishte paguar 810 mijë euro për të siguruar shërbimet e tij nga Genclerbirligi, shkruan Insporti.com.
Ishte koha që Muriqi të tregonte vlerat e tij edhe në Superligën Turke. Këtë edhe bëri pasi në 80 paraqitje në elitën turke të futbollit shënoi 22 gola, gjithnjë sipas “Transfermarkt”.
Pas super paraqitjeve me Rizespor si dhe me përfaqësuesen e Kosovës, Muriqi arriti të bëj hapin e tij më të madh në karrierën e tij deri më tani, duke u transferuar në Fenerbahce.
Tashmë, edhe Vedat Muriqi është një tjetër futbollist që ka arritur të bëj emër në futbollin evropian duke e nisur karrierën në Kosovë, pas Milot Rashicës, i cili po ashtu është duke pasur sukses të madh me skuadrën gjermane, Werder Bremen.
Shpresojmë që forma e tij të vazhdojë edhe sezonin e ardhshëm në fanellën e Fenerit dhe atë të Kosovës…. /Insporti.com.