Rrustemi sonte do të boksojë me një “thes boksi” të gjallë (FOTO)

Sipas njoftimeve që janë lëshuar në media, Erzen Rrustemi, boksieri i lindur në Zhegër që ushtron në Zvicër, sonte në Karslruhe do të ngjitet në ring për meçin e tij të radhës.
Në njoftimet që janë lëshuar nëpër media thuhet se meçi është i vlefshëm për titullin në versionin WBF, në peshat e rënda të boksit profesionist. Versioni WBF, në boksin profesionist njihet si një “strehimore e të moshuarve”. Këtë nofkë e ka merituar për shkak se lufta e profilit më të lartë ndonjëherë për titullin WBF ka qenë ajo midis Frans Bothas dhe Evander Holyfieldit.
Përderisa para 20 vjetëve ky duel do të ishte mega spektakël, për titullin WBF kanë dueluar Holyfield 48 vjeçar dhe Botha 41 vjeçar dhe Holyfield kishte fituar në meçin e vitit 2010.
Kundërshtari i Rrustemit është Juan Pedro Guglielmetti nga Argjentina,një boksier pak i njohur, 45 vjeçar, me vetëm një meç të verifikuar në Box Rec.
Rrustemi ka thënë se është shumë i përgatitur për këtë meç ku është i bindur se do të triumfojë, derisa fitorja do t’ia mundësojë edhe titullin Global Boxing Union World Heavyweight Title, po ashtu version pak i njohur.
Në sportet luftarake, e sidomos në kik boks dhe karate kemi një numër shumë të madh të kamoionëve të botës në federata, konfederata, versione dhe organizata të ndryshme që shpesh më shumë i hutojnë shikuesit, sesa që ua qartësojnë statusin e tyre.
Sidoqoftë, Rrustemi deri më tani ka 12 meçe dhe 12 fitore në boksin profesionist, prej të cilave 10 fitore me KO. Meçi me Ricardo Ramirezin prej nga janë marrë këto pamje është zhvilluar në Aarhus të Danimarkës.