RTK udhërohet të mos ftojë në emisione persona me aktakuza aktive, por kjo kërkesë nuk zbatohet – ftohet Agim Ademi

Futboll 19 Mars 2022 20:58

Radio Televizioni i Kosovës është urdhëruar që të mos ftojë në emisione persona me aktakuza aktive, por një kërkesë të tillë nuk po e zbatojnë Redaksia e Sportit të transmetuesit publik.

Këta të fundit në emsionin “Arena Sportive”, që transmetohet ditën e diel, kanë paralajmëruar se e kanë të ftuar kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka aktakuza aktive dhe probleme me ligjin.

Kryetari i FFK’së Agim Ademi është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 9 muaj burgim efektiv për detyrim në tentative në një rast në vitin 2012.

Gjykata Supreme i riktheu lëndën në rigjykim, pasi që më parë Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit e kishin shpallur fajtor duke e dënuar me nëntë muaj burgim. Ademi i është shmangur burgut efektiv duke u arsyetuar se kishte probleme shëndetësore, anipse ai paraqitej çdo ditë në vendin e tij të punës.

Në mars të vitit të kaluar, Ademi madje kishte qenë prezent edhe në takimin e Përfaqësueses së Kosovës ndaj Lituanisë, por nuk ishtë paraqitur në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ai ishte denoncuar edhe nga Mehmet Maxhuni, ish-doktor në Federatën e Futbollit të Kosovës, i cili e akuzon të parin e FFK’së për dhunë fizike ndaj tij. Ngjarja kishte ndodhur më 28 shtator të vitit 2019, ndërkohë që lënda ende nuk ka përfunduar.

Ndër tjerash, kryetari i FFK’së u dërgua në polici ditë më parë, kjo pas sulmit ndaj zyrtarit të FFK-së, Artan Govori – por pastaj ai u lirua me procedurë të rregullt nga burgu.

Kujtojmë se, ish-sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, në fillim të këtij muaji në Sporti Total’ në KTV kishte thënë se Agim Ademi i kontrollon mediet, duke përfshirë edhe RTK’në.

“Agim Ademi kontrollon edhe mediat. RTK, Klan Kosova, RTV 21, ky ua cakton mysafirët aty, sipas dëshirës. Si shembull është edhe RTK-ja, ku unë kam qenë mysafir i shpeshtë, por pas kërkesës së tij(Ademit), unë një vit nuk jam ftuar në RTK” – kishte thënë Salihu.

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka urdhëruar që kryeredaktorët, redaktorët përgjegjës dhe redaktorët e programeve të mos i ftojnë në intervista figurat që kanë aktakuza aktive dhe se udhëzimi ka efekt të menjëhershëm.

/Insporti.com

-->