Rugova tregon gjendjen e basketbollistëve të Kosovës dhe çfarë po bëjnë ata

Kombëtarja 10 Prill 2020 17:39

Drejtori i skuadrave përfaqësuese të Kosovës në basketboll, Granit Rugova, në një bisedë për Insportin ka bërë të ditur se të gjithë basketbollistët, qofshin ata që luajnë në Kosovë apo vende të ndryshme, janë mirë dhe nuk kanë pasur probleme për shkak të pandemisë, por gjithsesi janë duke vepruar me kujdes.

“Kemi mbajtur një mbledhje virtuale me stafin e Përfaqësueses, kemi komunikuar me trajnerin, stafin e tij, zyrtarët tjerë dhe të gjithë që janë të lidhur me Përfaqësuesen. Më e rëndësishmja është fakti që të gjithë janë mirë me shëndet dhe normalisht po përpiqen që në kushte izolimi të punojnë individualisht”, ka thënë Rugova për Insporti.com.

Ai ka shtuar se basketbollistët po i përmbahen programit të caktuar nga shtabi teknik dhe synimi është që të jenë të gatshëm sapo situata të normalizohet. ”Trajneri kondicional, Enver Tahiraj, ka përgatitur një program mjaft të mirë për stërvitje individuale dhe në përputhje me rrethanat, të cilit basketbollistët janë duke iu përmbajtur me përpikëri. Shpresojmë që në momentin kur situata të jetë normale dhe të ketë kaluar pandemia, ata të jenë të gatshëm për Përfaqësuesen dhe skuadrat e tyre përkatëse”, është shprehur Rugova.

Përfaqësuesja e Kosovës ndeshjen e parë zyrtare pritet ta ketë në nëntor, kundër Sllovakisë./Insporti/

-->