Ruiz e pranon rimeçin me Joshuan, por me këtë kusht

Boks 03 Qershor 2019 21:51

A do të zhvillohet rimeçi për titujt kampionë bote në peshat e rënda në boks mes britanikut Anthony Joshua dhe meksikanit Andy Ruiz Jr?

Sipas klauzolës në kontratën e tyre, kjo do të ndodhë. Sipas Eddie Hearn, menaxherit të Joshua, në kontratë thuhet se në rast se Joshua humbet duelin, revanshi do të zhvillohet në Britaninë e Madhe.

Sidoqoftë, pas duelit Ruiz Jr deklaroi se nuk është 100% i bindur për këtë revansh, pasi ka plane të tjera për të ardhmen. Ndërsa sot ka deklaruar se revanshi mund të zhvillohet, por me një kusht, që ai të mbahet në Meksikë.

Sfida e parë mes tyre u zhvillua në “Madison Square Garden” të Nju Jorkut, ndoshta në tokën e askujt edhe pse Ruiz Jr jeton në Amerikë. Gjithsesi, meksikani i parë kampion bote në këtë Divizion, shpreson që titujt ndaj Joshua t’i mbrojë në vendlindjen e tij.

“Edhe mua më pëlqen të zhvilloj revanshin, por fillimisht do të flas me ekipin tim. Duhet të ulemi e të diskutojmë edhe për aspektin financiar. Unë dëshiroj që ta zhvillojmë në Meksikë. Ky shtet nuk ka pasur kurrë një kampion bote në peshën e rëndë, ndaj do të më pëlqente të zhvilloja aty revanshin dhe t’u dhuroja fansave një spektakël të tillë”, tha Andy Ruiz Jr.