Rumania kundërshtar tejet i vështirë për Kosovën

Kombëtarja 08 Janar 2020 10:16

Kombëtarja e Kosovës e luan ndaj Rumanisë ndeshjen e dytë në fazën e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2021.

Të shtunën nga ora 18:00, Kosova e Rumania takohen në Benevento të Italisë, në kuadër të grupit të tretë

Rumania ka të kaluar shumë të lavdishme. Ka katër tituj të kampionit të botës, në vitet 1961, 1964, 1970 e 1974. Ka po ashtu dy medalje të bronzta botërore, në vitet 1967 e 1990.Rumania aktualisht nuk e ka lavdinë që e kishte, por llogaritet favorite e grupit.

Së fundi në kampionat botëror ka luajtur në vitin 2011 kur përfundoi në vend të 19-të. Rumania ka lojtarë në nivel serioz evropian, por ka edhe dobësitë e saj, të cilat do të mundohen t’i shfrytëzojnë maksimalisht djelmoshat tanë.

Edhe për Botërorin e kaluar, Rumania kishte nisur nga faza e parë kualifikuese. Kishte fituar grupin me Italinë, Ukrainën e Ishujt Faroe, ndeshjet e të cilit ishin luajtur në Itali në janar të vitit 2018. Në fazën e dytë kualifikuese, Rumania ishte ndalur nga Maqedonia. Maqedonia në Shkup kishte fituar 32:24, kurse ndeshja në Cluj-Napoca kishte përfunduar 26:25 në të mirë të Rumanisë.

“Në kohën e artë të saj, Rumania ka fitur katër tituj të botës. Tani Rumania paraqitet nga fillimi i kualifikimeve për kampionat botëror. Rumania vlerësohet favorite e turneut në Benevento”, ka shkruar faqja zyrtare e Federatës Evropiane të Hendbollit.

-->