Salah para një dileme nëse Liverpool avancon në finale

Futboll 26 Prill 2018 10:07

Mohamed Salah përveç se është një lojtarë shumë i talentuar dhe po llogaritet ndër më të mirët, ai është edhe një praktikues i devotshëm i fesë islame.

Për këtë arsye, futbollisti tek i cili mbështetet shumë skuadra e Liverpool, do të jetë para një dileme nëse “Reds” do të avancojnë në finale të Champions League.

Finalja e Ligës së Kampionëve mbahet në Kiev më 26 maj, rreth 10 ditë pas fillimit të muajit të shenjtë të ramazanit për të gjithë ata që praktikojnë fenë islame.

Duke llogaritur se sa impenjim kërkojnë stërvitjet dhe ndeshja finale e Ligës së Kampionëve, Salah mendon se nuk do ta ketë të lehtë fazën stërvitore derisa ai do të jetë duke agjëruar.

Tek Liverpool lojtarët që janë të fesë islame Mohamed Salah, Sadio Mane dhe Emre Can, do të kenë para vetes një vendim të vështirë, pasi në rast të agjërimit, do të hasin në vështirësi gjatë stërvitjeve, e në anën tjetër për fetarë të devotshëm, ramazani, që është njëra nga pesë shtyllat kryesore në islam, nuk bën të injorohet.

Madje Salah ka pranuar se në vitin 2014 sa ishte pjesë e Chelseat, kishte hasur në vështirësi në seancat stërvitore gjatë muajit të ramazanit.

“Ishte periudhë jo e lehtë për mua, pasi kishim stërvitje dy herë në ditë, në një mot të nxehtë dhe unë luaja në çdo ndeshje. Nuk është e lehtë t’i kryesh të gjitha këto, derisa nuk mund të pish ujë deri në mbrëmje”, kishte thënë Salah atë kohë.

Trajneri i Liverpool, Jurgen Kloop, ka zbuluar se treshja Salah, Mane dhe Can, janë futbollist profesionist, por edhe i përmbahen fesë së tyre.

Gjermani mendon se në botën e sotme që po jetojmë ku islami po shikohet me një sy tjetër, Mohamed Salah, ka arritur me dashurinë, miqësinë dhe përulësinë e tij., t’i largojë paragjykimet e njerëzve dhe është shndërruar në një ambasador të vërtetë të Egjiptit dhe gjithë botës arabe. /Insporti.com

-->