Salihu: Futbollistët do të testohen, kampionati vazhdon

Futboll 07 Korrik 2020 13:00

Gjendja pandemike në vendin tonë është duke u rënduar. Në ditët e fundit numri të infektuarve është rritur dukshëm po thuajse në të gjitha qytetet. Një ndër qytetet më të prekura me “Covid-19” është Vushtrria dhe e kuptueshme që të rrezikuar janë edhe futbollistët e klubit të Vushtrrisë, që bën gara në IPKO Superligën e Kosovës, shkruan Insporti.com.

Presidenti i Vushtrrisë, Bajrush Kajtazi në një prononcim për gazetën është shprehur tejet i shqetësuar me gjendjen aktuale, duke deklaruar se dy futbollistë të klubit janë me simptoma të “Covid-19”, madje njëri është në gjendje të rëndë.

“Dy futbollistë janë me simptoma të “Covid-19”, që të dyve ua janë shfaqur pas ndeshjes së fundit me KF Flamurtarin. Për momentin ata janë të izoluar por ne e kemi kuptuar vetëm pas ndeshjes, madje njëri prej tyre është në gjendje të rëndë. Ditëve në vijim pritet të testohen, por Federata e Futbollit të Kosovës duhet të merr masa dhe të testohemi të gjithë, së bashku me dy klubet që jemi përballur dy xhirot e fundit, që janë KF Ballkani dhe KF Flamurtari”.

Insporti ka kontaktuar me sekretarin e FFK-së, Eroll Salihu, i cili ka konfirmuar se është njoftuar për situatën në klubin e Vushtrrisë nga presidenti Bajrush Kajtazi.

Salihu ka konfirmuar se kampionati nuk do të anulohet dhe se futbollistët në fjalë do të testohen.

“Po kemi kontaktuar me presidentin e Vushtrrisë, Bajrush Kajtazi. Jemi njoftuar për gjendjen e dy futbollistëve dhe kemi bërë kërkesë nga Komisioni mjekësore që të shikohet gjendja e tyre dhe të testohen për ta kuptuar se a janë infektuar. Në rast se po, atëherë duhet të izolohen futbollistët në fjalë dhe pjesë tjetër e skuadrës të testohen. Ne si FFK do të bëjmë gjithçka që kampionati të përfundojë përkundër gjendjës në vendin tonë. Nuk duhet të ndalohet kampionati vetëm për disa raste, edhe në Angli kishte futbollistë të infektuar por kampionati po vazhdon”.

Ish kampioni i Kosovës ndeshjen e parafundit e ka zhvilluar në Therandë, si mysafire e KF Ballkanit, ndeshje të cilën e humbi me rezultat 3:1.

Në rast se rezultojnë pozitiv atëhere duhet që edhe Ballkani dhe Flamurtari të testohen.

Rasti i fundit me “Covid-19” në futbollin tonë ishte gjyqtari Ilir Mehmeti, i cili ishte infektuar por tashmë është shëruar.

Ndërsa, para rinisjes së kampionatit të gjitha klubet ishin testuar pasi futbollisti i KF Dritës, Izair Emini kishte rezultuar pozitiv. Për fat të mirë nuk kishte asnjë të infektuar me “Covid-19” në klubet tjera të Superligës..

Vushtrria tashmë edhe matematikisht është përshëndetur nga elita e futbollit tonë, pasi renditet në pozitën e 11 me 17 pikë të grumbulluara pas 28 xhiro.

Në fillim të këtij muaji (korrik) në qytetin e Vushtrrisë janë shfaqur 39 raste me “Covid-19”.

-->