Salihu: Kjo që po ndodh është absurde, por edhe me prapavijë  

Uncategorized 23 Tetor 2019 18:06

Gjatë ditëve të fundit është shtuar numri i ankesave në adresë të gjyqtarëve të futbollit kosovar, madje ka edhe zëra që kërcënojnë për shkëputje të Superligës nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Këtyre kritikave u është përgjigjur Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu. “Kjo që po ndodh së fundi është krejtësisht absurde, madje është shndërruar edhe në monotoni, pasi gjithmonë janë të njëjtit persona që ankohen. Nuk them që gjyqtarët nuk gabojnë, por me rëndësi është që gabimet të mos jenë të qëllimshme. Askush në botë nuk ka arritur të ketë gjyqtarë të pagabueshëm, madje po gabohet edhe me VAR”, ka thënë Salihu për Insporti.com.

Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së beson se kjo “fushatë” është e qëllimshme. “Duket qartë se e tërë kjo e ka një prapavijë. Mirëpo, duhet të vetëdijesohemi të gjithë dhe të kemi qasje më pozitive. Askush nuk ua mohon meritat atyre që kanë investuar dhe kontribuar në mënyra të ndryshme, por po ashtu është e qartë se askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe mbi futbollin e Kosovës, qoftë ai kryetari, unë si sekretar apo kushdo qoftë ai”, ka shtuar Salihu.

Në fund, ai ka theksuar se është për çudi se si zyrtarë të skuadrave të ndryshme përmendin edhe shifra të të hollave, të cilat kinse janë dhënë, ndërsa të njëjtit nuk e paraqesin rastin në organet kompetente. “Kështu nuk shkon më. Prokuroria tashmë e ka marrë rastin dhe kjo është më e mira, por unë çuditem se si dikush mund të thotë që e di se janë dhënë kaq para për një rast të caktuar dhe nuk e paraqet në prokurori. Nga e dinë ata zotërinj, kush u ka treguar, pse nuk i paraqesin këto raste…?”, është shprehur Salihu për Insportin.

Ankesa për parregullësi së fundi kanë shprehur zyrtarë të Feronikelit, Ballkanit e Llapit./Insporti/

-->