Sarri pyetet nëse ndihet tradhtar pse kaloi te Juventusi, ka një përgjigje “diplomatike”

Futboll 20 Qershor 2019 12:17

Maurizio Sarri është rikthyer në Itali, këtë herë për t’u ulur në stolin e kampionëve të Juventusit.

Zyrtarizimi i Sarrit në stolin bardhezi u bë pak ditë më parë, ndërsa vetëm sot tekniku italian doli para mediave, për të dhënë intervistën e tij të parë si trajner i Juventusit, një skuadër me të cilën rivalizoi për tre sezone, kur drejtonte Napolin.

A është kjo zgjedhja më revolucionare në jetën tuaj?
Nuk e di. Nuk e mendoj kështu, pasi duhet të kemi një ide të qartë për këtë diskutim. Tre vite më parë shkova te Napoli dhe dhashë gjithçka, pasi isha një tifoz i napolitanëve, që fëmijë. Kohët e fundit kisha një dyshim mes kënaqësisë që ndjeja kur drejtoja Napolin dhe logjikës që më thoshte se kjo eksperiencë kishte ardhur në fund. Kisha oferta edhe nga Italia atëherë, pro vendosa të shkoj një herë jashtë. Eksperienca në Premier League ishte fantastike, por më pas erdhi oferta nga Juventusi, klubi më i rëndësishëm në Itali dhe nuk mund ta refuzoja. Mendoj se ky është një kurorëzim i një karriere që në 80% të saj ka qenë shumë e vështirë. Jam i bindur që i kam respektuar të gjithë, ndërsa tani duhet të respektoj edhe veten time.

Çfarë ndjesie ju dha thirrja e Juventusit?
Ndjesia ishte e fortë dhe jo për kohën kur erdhi, por për mënyrën se si erdhi. Kam parë një shoqëri të vendosur dhe kompakte në vendimin për të afruar një trajner, gjë që e has për herë të parë në 30 vite.

Cilat janë objektivat tuaja te Juventusi?
Pres që të zgjohem në mëngjes dhe të studioj se si të fitojmë ndeshjet. Juventusi ka detyrimin të futet në Champions me objektivin për të triumfuar në fund, por të njëjtat synime kanë edhe 8-9 klube të tjera të mëdha në Evropë, ndaj kjo gjë bëhet e vështirë. Sa i përket kampionatit, përgjegjësia është më e madhe, pasi kjo skuadër fiton prej 8 sezonesh radhazi dhe duhet të mbrojë titullin.

Si ndiheni që jeni trajner i Juventusit?
Emocioni është i fortë, por nuk është se vij nga klube amatore. Kam një karrierë që ka ardhur hap pas hapi dhe kam provuar klube të ndryshme. Mos harroni që vij nga Chelsea, një skuadër e madhe evropiane, ndonëse me më pak histori se Juventusi. Mund ta quaj një hap të madh përpara emërimin tim këtu.

Sa peshon e shkuara juaj te Napoli?
Unë kam kaluar 3 vite atje dhe gjatë gjithë kohës zgjohesha në mëngjes dhe mendoja tërë kohës se si të mposhtim Juventusin. Kam dhënë 110% dhe mendoj se kemi qenë rivali më i fortë i bardhezinjve, por nuk ia kemi dalë të fitojmë titullin. Ka qenë një rivalitet i fortë sportiv, por profesionalizmi im më ka sjellë te Juve dhe tani jam gati të bëj më të mirën këtu.

A ndihesh një tradhtar?
Një lojtar i caktuar, që jeton në një ambient, bën deklarata të caktuara, pasi dëshiron të kalojë mirë aty ku është. Pastaj janë mesazhet private që thonë tërësisht të kundërtën. Unë jam një profesionist që bëj më të mirën në punën time, duke respektuar klubet ku punoj dhe duke dhënë 110%. Mendoj se ky është respekti. Të tjerat janë zgjedhje logjike, pa pasur vend për romanca.

Çfarë pret pas ndeshjes Napoli – Juve?
Nëse më duartrokasin është një histori dashurie. Edhe nëse më vërshëllejnë, është një histori dashurie dhe unë ju dua të mirën gjithmonë.

Koret raciste…
Sa u përket koreve raciste, unë kam ndryshuare klub, por nuk ndryshoj ide. Në Itali është koha për t’u dhënë fund shfaqjeve të tilla të inferioritetit, qoftë duke ndërprerë edhe ndeshjet.