Sarri tregon ku dështoi skuadra e tij në humbjen nga Tottenhami

Futboll 21 Korrik 2019 22:59

Juventusi e zhvilloi sot (e diel) ndeshjen e parë miqësore e testuese para fillimit të sezonit të ri 2019/20.

Trajneri i ri i italianëve, Maurizio Sarri, dhe transferimet e fundit Merih Demiral, Adrien Rabiot e Matthijs de Ligt debutuan me humbje.

Juventusi pësoi humbje 3-2 nga skuadra angleze, Tottenham Hotspur. Pas kësaj ka folur trajneri i kampionit italian, i cili ka treguar edhe arsye e humbjes.

“Ishte një ndeshje e vështirë ndaj një grupi lojtarësh që luajnë prej kohësh bashkë. Edhe përgatitja fizike bëri diferencën. Në pjesën e parë ata ishin më të shpejtë dhe shpërthyes”, tha fillimisht Sarri.

“Pjesa e dytë shkoi më mirë, e qarkulluam më mirë topin dhe bëmë më shumë presion. Luajtëm 20 minuta cilësore, duke krijuar dhe shënuar dy gola. U treguam naivë në rastet kur humbëm topin, nga ku erdhën edhe dy golat e Tottenhamit. Por mendoj se erdhi për shkak të një paraqitjeje fizike jo në nivelin e duhur”, ka deklaruar 60-vjeçari.