Savicevic poshtëron trajnerin serb – Ai qau, me tha: ‘Ju tradhtova’

Futboll 11 Korrik 2019 16:25

Dejan Savicevic, presidenti i Federatës Malazeze të Futbollit, ish-lojtar i njohur i Milanit, foli në një intervistë gjithëpërfshirëse për “Nedeljnik” mbi ngjarjet para ndeshjes eliminatore me Kosovën.

Sikurse dihet, trajneri dhe disa lojtarë serbë të kombëtares malazeze nuk pranuan të përballeshin me “Dardanët”, duke shkaktuar  një skandal futbollistik. Savicevic hodhi akuza të rënda ndaj Zvezdan Terzic, drejtorit të përgjithshëm të Crvena Zvezdas, njeriut që kërkoi nga serbët e kombëtares së Malit të Zi të mos pranojnë të luajnë ndaj Kosovës:

“Presionet e Terzicit vinin përmes shtypit. Nuk e telefonova. Ai ishte njeriu i parë nga Serbia, që duhej të më thoshte se nuk kishte të bënte fare me këtë. Askush nuk reagoi, jo vetëm ai. Ai ka telefonuar lojtarët serbë të kombëtares sonë, u ka dërguar mesazhe për të mos luajtur. Të njëjtën gjë ka bërë edhe me Tumbakovicin. Unë nuk i ndaj njerëzit me fe, ose komb; urrej vetëm gënjeshtarët. Dhe ai është i tillë. Ka hedhur gurin dhe ka fshehur dorën…”, është shprehur legjenda e futbollit malazez.

Savicevic denoncon Zvezdan Terzicin jo vetëm pse ndikoi te lojtarët e Crvena Zvezdas, çka është e drejtë e tij legjitime, por edhe te trajneri Ljubisha Tumbakovic: “Nëse iu ka bërë presion vetëm lojtarëve, kjo edhe mund të pranohet, edhe pse nuk është diçka e mirë. Ata janë lojtarët e tij dhe duhet t’i mbrojë interesat e Crvena Zvezdas. Kjo është e drejtë. Por, çfarë lloj të drejte kishte ai, që të telefononte trajnerin e kombëtares së një shteti tjetër dhe t’i kërkonte të mos drejtonte Malin e Zi ndaj Kosovës? Nuk e kuptoj, pse e mohon këtë gjë në publik, pse thotë se nuk ka të bëjë fare me të?! Pyetni të gjithë lojtarët: kur kjo deklaratë doli, ishim në Republikën Çeke. Lojtarët më pyesin: President, a e keni lexuar këtë?”

Një pjesë e mirë e intervistës iu dedikua ish-futbollistit të Ish-Jugosllavisë dhe Malit të Zi, trajnerit të ri të kombëtares serbe, Ljubisa Tumbakovic. “Shoh se pas emërimit në bankinën e Serbisë, ai ka thënë se nuk e di nëse ka marrë vendimin e duhur për të mos drejtuar Malin e Zi ndaj Kosovës. Veprimi i tij nuk ka qenë logjik, para së gjithash. Si mundet një njeri të thotë se ka parime? Cilat janë parimet? Si mund t’u telefonojë dikush, sikur të jeni fëmijë 12 vjeç, dhe t’u thotë: Mos e drejtoni Malin e Zi? Nuk bëhesh patriot me të tilla gjëra. Kur ramë në një grup me Kosovën, ai mund të kishte qenë një patriot i tillë, duke më thënë: Dejo, unë nuk mund ta drejtoj kombëtaren ndaj këtij kundërshtari. Po ashtu, trajneri mund të më thoshte në mars, kur nisën ndeshjet e para eliminatore: Dejo, Kosova po vjen, nuk mund ta drejtoj kombëtaren kundër saj. Po ta kishte bërë këtë, unë do t’i thosha: Mirë, pranoj. Do të kishim disa muaj në dispozicion për t’u përgatitur”.

Dejan Savicevic tregoi se nuk u nda me fjalë të ashpra me Tumbakovic: “Shmanga çdo fjalë të ashpër ndaj tij, pas ndeshjes, kur u ndamë. Doja të evitoja çdo bisedë me të, sepse e njoh veten. Në atë takim, ai pothuajse qau. Lojtarët që ishin aty, mund ta konfirmojnë këtë. Trajneri më tha: Unë ju tradhtova. Më kujtohet mirë”.