Sekretari i FHK-së: Kontrata nuk ka – hendbolli nuk është ende profesional

Superliga 14 Qershor 2020 14:17

Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia “Covid19” ka prekur edhe hendbollin. Pezullimi i hendbollit ndodhi në muajin mars dhe pas një pauze të gjatë është rikthyer në të dy konkurrencat atë meshkujve dhe femrave. Përcaktimi i kampionit do të bëhet me anë të plejofit, shkruan Insporti.com.

Arbnor Luta

Klubi më i prekur nga pandemia është nga kryeqyteti Prishtina në konkurrencën e femrave. Prishtina është në krizë të madhe financiare, duke mos kryer obligimet financiare ndaj hendbollistëve.

Ky burim i Insportit bën të ditur se kryesia e klubit nuk ka paguar hendbollistet edhe para se të ndodhte pandemia dhe se nuk kanë respektuar obligimet sipas kontratave që kanë të lidhura.

Hendbollistet prishtinase në shenjë revolte kane vendosur t’i bojkotojnë stërvitjet dhe ndeshjet.

Përgjigjja e klubit ndaj kësaj revolte ka ndodhur shumë shpejtë duke i përjashtuar nga klubi pasi vashat prishtinase nuk janë paraqitur në dy datat që kryesia e klubit i kanë vendosur. Përjashtimi ka ndodhur duke i njoftuar se bashkëpunimi është ndërprerë.

Insporti po ashtu mëson se hendbollistet para fillimit të kampionatit kanë kërkuar nga kryesia e klubit që të bëhen të gjitha hendbollistet me kontrata dhe jo vetëm disa prej tyre.

Insporti ka tentuar të kontaktojë me kryetarin e klubit, Nebih Zariqi, por nuk ka qenë i qasshëm.

Federata e Hendbollit e Kosovës për këtë rast është informuar nga mediet, të cilat të shtunën (dje) raportuan për problemet e klubit të Prishtinës.

Në lidhje me këtë problem, Insporti ka kontaktuar sekretarin e FHK-së, Izet Gjinovci, i cili ka deklaruar se federata nuk mund të ndërhyjë në këtë problem pasi hendbollistet nuk kanë kontrata profesionale.

Gjinovci deklaroi se ndjenjë keqardhje dhe se shpreson që ky problem të zgjidhet sa më parë.

 “Nuk ka kontrata të verifikuara në federatë, janë punë të brendshme të klubeve, ne për këtë rast kemi dëgjuar në medie dhe jemi shumë të befasuar. Këtu nuk kemi asgjë, sepse klubet i kanë rregulloret e tyre dhe nuk mund të bëjmë asgjë, pasi sipas të gjitha gjasave kanë vetëm marrëveshje mirëbesimi dhe jo kontrata valide të paraqitura në federatë. Sporti i hendbollit në vendin tonë ende nuk është profesional. Shumë klube në konkurrencën e femrave nuk kanë kontrata, përveç KH Istogut, ndërsa te meshkujt po”.

Ndeshja e parë është zhvilluar ndërmjet Prishtinës dhe Istogut.

Istogu është një hap më afër finales së madhe të plejofit të Superligës së Kosovës në hendboll.

Vashat e Istogut fituan me lehtësi në udhëtim me rezultat 43:12 (23:8) ndaj Prishtinës.

Kjo fitore bindëse erdhi si pasojë e mos paraqitjes së hendbollisteve të skuadrës “A”. Në këtë ndeshje Prishtina është paraqitur me kadete.

Vlen të theksojmë që në momentin kur kampionati u pezullua për shkak të pandemisë së koronavirusit, Istogu, Vushtrria, Prishtina dhe Ferizaj kishin nga 22 pikë. Çifet gjysmëfinaliste janë përcaktuar përmes shortit.  Në gjysmëfinale dhe finale të plejofit do të luhen nga dy ndeshje, si vendas dhe si mysafir.

Ndeshjet e dyta janë më 17 e 18 qershor. Finalja e parë luhet më 20 apo 21 qershor, ndërsa e dyta më 24 apo 25 qershor. /Insporti.com/

-->