“Senna Day”, Brazili përkujtoi legjendën e F1

Formula 1 02 Maj 2019 20:06

Pista e Formulës 1 në Interlagos të Brazilit mblodhi tifozë të panumërt një ditë më parë, për të përkujtuar legjendën e këtij sporti, Ayrton Senna, që u nda nga jeta 25 vite më parë pas një aksidenti tragjik të ndodhur në pistën e Imolas, në Çmimin e Madh të San Marinos.

Eventi “Senna Day” nisi me kryerjen e një xhiroje me makinën “Lotus”, me të cilën Ayrton Senna ka garuar, ndërkohë që braziliani në këtë pistë kishte fituar garat e viteve 1991 dhe 1993, pikërisht përballë publikut të tij të adhurueshëm.

Në program ishin përfshirë edhe zbritja në pistë e makinave “kart”, e në mënyrë të veçantë e makinës “super tour McLaren”, një makinë me të cilën Senna fitoi të 3 titujt botërorë në Formulën 1, në vitet 1988, 1990 dhe 1991.

Më pas, tifozët patën mundësinë të admironin të gjithë objektet e pilotit legjendar të Formulës 1, që kishte në zotërim gjatë të gjithë karrierës së tij, ndërkohë që provuan edhe makinat simulatore që riprodhuan triumfet e tij më të mëdha.

Ky event ishte një homazh për njeriun e votuar si sportistin brazilian më të madh të të gjitha kohërave, me 47 për qind të preferencave, duke lënë pas legjendën e futbollit Pele me 23 për qind.