Sensi e do Barcelonën në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve

Futboll 11 Korrik 2019 23:47

Përforcimi i Interit, Stefano Sensi ndihet shumë mirë në skuadrën e re, por edhe tejet ambicioz, madje dëshiron përballje me Barcelonën në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

“Është njësoj siç e kisha imagjinuar. Vërtet sapo kam nisur një aventurë të re, por më duket sikur kam një jete tek Interi”.

Me këto fjalë, Sensi, mesfushori i blerë këtë verë nga zikaltrit, flet në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ku tregon ndjesitë mbi stërvitjet e para me Antonio Conten, për bisedat me Milanin, por edhe për dëshirën për t’u ndeshur me Barcelonën në Champions.

“Impakti i Contes? Shumë i fortë. Që të dielën, kur u bashkuam të gjithë në Lugano, na mblodhi dhe me pak fjalë na tregoi vendin: ‘Është e kotë t’u flas shumë gjëra. Tani e dini që konceptet e mia bazë janë dy: edukatë dhe respekt. Nëse zbatoni këto, jeni në rregull me mua’. Kishte të drejtë! I referohej Naingolanit dhe Icardit? Nuk dua të hyj në këtë temë. Për momentin ata janë pjesë e grupit, janë me ne në stërvitje. Kaq di të them”, vazhdon Sensi, që në lidhjen me bisedimet me Milanin sqaron. “Po, është e vërtetë që isha pranë Milanit, por një ditë, papritur, menaxheri im më telefonoi dhe më habiti kur më tha se Interi më donte me çdo kusht. Isha i ekzaltuar, pasi më mjaftuan dy ditë stërvitje për të konfirmuar se Interi ishte zgjedhja e duhur për mua. Si e pres sezonin e ri? Dua thjesht ta shijoj dhe kam në mendje dy ndeshje: pres me padurim të luaj derbin me Milanin, por në të njëjtën kohë do të doja edhe Barcelonën në grupet e Championsit. Jam një tifoz i tyre, por tani shpresoj që të kem rastin t’i shoh ‘live’ në fushë”, u shpreh Sensi.