Serbët e “vajtojnë” provokimin dhe humbjen nga Mali i Zi

Hendboll 13 Janar 2020 13:35

Shorti i Kampionatit evropian të Hendbollit që po zhvillohet në Austri, Norvegji dhe Suedi ka “prodhuar” një situatë shumë interesante – Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi garojnë në të njëjtin grup.

Duelet e këtyre vendeve që deri para 3 dekadave kanë qenë pjesë e të njëjtit shtet, kurse në rajon kanë kaluar nëpër luftëra dhe tensione politike, janë gjithnjë interesante për tu shikuar, por dueli i Malit të Zi me Serbinë ishte i veçantë për më shumë se një arsye.

Mali i Zi shënoi fitore dhe tashmë e ka siguruar plasmanin në fazën e dytë të garave, kurse për Serbinë dihet se nuk do ta kalojë grupin.

Mirëpo, më shumë se humbjen, në mediat serbe e “vajtojnë” atë që e quajnë “provokim” të Malit të Zi – paraqitjen në ndeshje me uniforma të gjelbra.

Sipas Blicit, ngjyra e gjelbër e uniformave është homazh për “Revolucionin e Komitëve” të 1918-ës që para më shumë se 100 vjetëve kishte luftuar kundër bashkimit të Malit të Zi me Serbinë.

Mali i Zi fitoi 22:21, kurse pas ndeshjes pati edhe një përplasje midis dy selektorëve. Pamjet nga çastet më të ndritshme të këtij takimi mund ti shihni më poshtë.

-->